Çka është katinoni – droga që raportohet të jetë përhapur në Evropë?
Agjencia evropiane e ilaçeve ka vlerësuar përmes një raporti se në Evropë është duke u rritur prodhimi i drogës dhe se në treg po shiten e po konsumohen lloje të reja të substancave narkotike përfshirë katinonin. Çfarë është kjo substancë?
Formula kimike: C9H11NO
I njohur edhe si: Benzoiletanaminë ose β-keto-amfetaminë
Katinoni është substancë kimike e ngjashme me amfetaminën dhe besohet se është substanca kryesore aktive në bimën e quajtur “khat”, e përdorur tradicionialisht në Afrikën Lindore dhe në Gadishullin Arabik për efektin e saj stimulues.
Për shkak të efektit stimulues, banorët e këtyre rajoneve, në mënyrë tradicionale, i kanë përtypur gjethet e bimës “khat” për ta përjetuar ndjesinë stimuluese, euforike dhe emocionalisht çliruese.

Katinoni sintetik përgatitet nga njeriu dhe klasifikohet në grupin e substancave të reja psikoaktive, term i përdorur për substancat që nuk janë të rregulluara me ligj.
Konsumimi i katinonit sintetik mund të shkaktojë paranojë, halucinacione dhe sulme paniku. Keqpërdorimi i kësaj substance është shumë i rrezikshëm dhe mund të rezultojë në pasoja serioze për shëndetin dhe vdekje.
Në mesin e efekteve të dëshirueshme psikoaktive të katinonit sintetik përfshihen: vigjilenca, ndjenja e jashtëzakonshme e lumturisë, të qenët më shumë i shoqërueshëm, shtimi i kreativitetit dhe të shprehurit dhe shtimi i produktivitetit.
Sidoqoftë, konsumimi i katinonit sintetik mund të shkaktojë edhe shumë efekte negative si: paranoja, halucinacionet, sulmet e panikut, shqetësimi i jashtëzakonshëm dhe sjellja e dhunshme.
Përpos këtyre pasojave, përdorimi i katinonit sintetik lidhet edhe me efekte anësore shumë të rrezikshme si: rritja e ritmit të zemrës, dështimi i veshkave, rritja e shtypjes së gjakut, dhimbja në gjoks dhe sulmi në zemër, varësia dhe simptomat e tërheqjes si depresioni dhe ankthi, dehidrimi, koma, hipertermia dhe vdekja.
Agjencia evropiane e ilaçeve raportoi trafikim rekord të katinonit në Evropë si pjesë e rritjes së përdorimit të narkotikëve të rinj, të cilët “vazhdojnë të shfaqen në Evropë në shkallën një në javë”, thuhet në raport.
“Prodhimi i drogave sintetike po vazhdon të rritet në Evropë”, paralajmërohet në raport, duke theksuar se laboratorët e paligjshëm në Evropë prodhojnë sasi të madhe të amfetaminës, metamfetaminës dhe drogave të tjera sintetike për konsumim lokal dhe për eksportim jashtë Evropës.
Shumica e laboratorëve tashmë të shkatërruar të drogës u zbuluan në Belgjikë dhe Holandë. Sidoqoftë, vende për prodhimin e drogës u gjetën edhe në Republikën Çeke, Oloni, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së./Nacionale