Civilët e torturuar deri në vdekje në Bucha tronditin botën, Rusia mohon akuzat – dita 39 e pushtimit - NACIONALE

Civilët e torturuar deri në vdekje në Bucha tronditin botën, Rusia mohon akuzat – dita 39 e pushtimit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Tani kur kanë kaluar më shumë se gjashtë javë nga pushtimi rus i Ukrainës, ushtria ukrainase ka thënë se trupat e Vladimit Putinit kanë përfunduar tërheqjen e tyre nga veriu i vendit. Megjithatë, dita e 39-të e luftës është shënuar me ngjarje tronditëse si për vendin ashtu edhe për gjithë botën. Raportime për qindra civilë të vrarë gjatë kontrollit të forcave ruse në qytetet përreth Kievit, kanë ngritur reagime e akuza kundrejtë Rusisë, nga liderët vendas e botëror.

Pamje të tmerrshme të civilëve të vrarë nëpër rrugët e qyteteve të Ukrainës, kanë shfaqur edhe një herë agresionin rus me të cilin po përballet populli ukrainas.

Në vazhdim Gazeta Nacionale, ju sjell përmbledhjen e zhvillimeve kyçe të ditës së sotme nga lufta në Ukrainë.

Forcat ruse akuzohen për gjenocid dhe krime në qytetin ukrainas Bucha, i cili gjendet rreth 20 milje në veriperëndim të Kievit, pasi që dyshohet se kanë kryer vrasje masive përpara se Bucha të çlirohej nga forcat ukrainase.

Nëpër rrugët e qyteti janë shfaqur imazhe e video të civilëve ukrainas të vdekur, ku banorët thonë se viktimat janë vrarë nga ushtarët rusë, pa ndonjë provokim të dukshëm. Ndërsa, zyrtarët ukrainas thanë se disa nga viktimat ishin me duart e lidhura pas shpine dhe të qëlluara në kokë.

Prokurori i lartë i vendit ka thënë se 410 trupa të pajetë janë gjetur në qytetet afër Kievit, gjë që mund të çojë në hetime për krime të mundshme.

Zëdhënësi i Presidentit Volodymyr Zelensky tha se autoritetet në Ukrainë kanë njoftuar për ato që "duken saktësisht si krime lufte", duke përfshirë trupat e civilëve të ekzekutuar dhe varrezat masive, ndërsa rusët tërhiqeshin nga zonat e shkatërruara nga luftimet.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, dënoi vrasjen e civilëve ukrainas, duke thënë se Amerika do t'i bashkohet aleatëve të saj në dokumentimin e mizorive për t'i mbajtur autorët përgjegjës.

Vrasjet e civilëve të paarmatosur janë dënuar edhe nga udhëheqësit evropianë, të cilët u zotuan për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë.

Nga ana tjetër, Moska i ka mohuar të gjitha akuzat se forcat ruse kanë vrarë civilë në Bucha.

Sulmet ne këtë qytet Boris Johnson i ka quajtur 'të neveritshme' duke thënë se do të bëjë gjithçka është e mundur për të ndalë makinën e luftës së Putinit.

Ndërkohë, nga Kievi është njoftuar se forcat ajrore kanë marrë kontrollin e plotë të qytetit Pripyat, që gjendet afër uzinës bërthamore të çmontuar të Çernobilit dhe seksionit të kufirit me Bjellorusinë.

Presidenti Zelensky ka deklaruar se Rusia ka synime të marrë jugun dhe lindjen e Ukrainës.

Pjesë e kësaj dite kanë qenë edhe bombardimet ruse, ku u njoftua për sulme në qytetin port të Odesës dhe në Mykolaiv.

Lajme të ngjashme