Cilat janë zhvillimet kryesore dhe më të reja për Ukrainën
Rusia thotë se faza e parë e luftës ka përfunduar dhe se tash ky shtet do të përqendrohet në “çlirimin e plotë” të rajonit lindor ukrainas, Donbas. Cilat janë zhvillimet e tjera kyçe?
BBC
Zyrtarët perëndimorë besojnë se kjo lë të kuptohet që Moska e di se strategjia e hartuar para luftës ka dështuar.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe thotë se, me gjasë, Rusia do të vazhdojë që të përdorë të shtëna të rënda ndaj qyteteve ukrainase, pasi po mundohet që t’i kufizojë humbjet e konsiderueshme.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se goditjet e fuqishme ia kanë ngadalësuar ritmin Rusisë dhe pretendoi se mbi 16.000 trupa ruse janë vrarë deri më tani.
Sidoqoftë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e dha përditësimin e dytë të shifrave të të vrarëve të premten, duke thënë se deri më tash i janë vrarë 1.351 ushtarë, numër shumë më i vogël se vlerësimet e Ukrainës dhe Perëndimit.
Pentagoni ka thënë se forcat ukrainase mund ta rimarrin qytetin jugor, Kherson, që ishte njëri nga vendbanimet e para që u mor nën kontroll nga rusët në ditët e para të luftës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se vendi i tij, Greqia dhe Turqia po mundohen që ta organizojnë evakuimin e civilëve nga qyteti i rrethuar ukrainas, Mariupol. Ai tha se do të diskutojë për këtë me homologun rus, Vladimir Putin. Presidenti ukrainas ka thënë se situata atje është duke u përkeqësuar.
Presidenti rus ka nënshkruar një ligj me të cilin cilësohet krim shpërndarja e lajmeve të rreme për punën e zyrtarëve jashtë vendit. Ata që shpallen fajtorë sipas këtij ligji mund të dënohen me më së shumti 15 vite burgim./Nacionale