Cilat janë planet e Perëndimit për Ukrainën, a do të mund të qëndrojë i bashkuar kundër Rusisë?
Pushtimi rus i Ukrainës ka bashkuar Perëndimin, duke i nxjerrë në fokus vlerat e tij. Por, kur bëhet fjalë për fazën tjetër të konfliktit, sa do të zgjasë ky unitet.
Sipas BBC-së, këto janë pesë çështjet që mund ta ndajnë përfundimisht alencën perëndimore.
Synimet e luftës
Para luftës, demokracitë liberale dukeshin herë pas here të pasigurta për fokusin dhe të ardhmen e tyre. Disa vunë në dyshim aleancat e tyre, ndërsa të tjerët iu nënshtruan ndjenjave nacionaliste. Por konflikti i ka kujtuar Perëndimit atë që përfaqëson - lirinë, sovranitetin dhe sundimin e ligjit, duke prodhuar një përgjigje të bashkuar ndaj agresionit të Rusisë.
Por, me gjithë diplomacinë e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe të tjerëve, kjo luftë mund të vazhdojë edhe për ca kohë. A mund të jemi tani në pikën më të lartë të konsensusit brenda aleancës perëndimore? Ka disa zgjedhje të vështira përpara që mund ta bëjnë të vështirë për fuqitë perëndimore të qëndrojnë në të njëjtën faqe diplomatike.
Ndoshta tensionet më të rëndësishme mund të vijnë mbi qëllimet e luftës. Për momentin Perëndimi është i bashkuar pas mbrojtjes së Ukrainës. Ai po ofron mbështetje ekonomike dhe ushtarake për të ndihmuar vendin të rezistojë.
Por cili është qëllimi afatgjatë? Një ndërprerje e armiqësive, natyrisht. Po Rusia, a duhet mposhtur? A duhet të fitojë Ukraina? Si do të dukeshin disfata dhe fitorja në aspektin praktik?
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson u tha deputetëve javën e kaluar: "Ne thjesht duhet të bëjmë gjithçka që mundemi kolektivisht për të siguruar që Vladimir Putin të dështojë plotësisht".
Por, Johnson nuk sqaroi se çfarë nënkupton me “dështojë”? Një gjë që ai e hodhi poshtë ishte shtytja për ndryshimin e regjimit në Moskë. "Është shumë e rëndësishme... që ne të mos e bëjmë objektiv heqjen e liderit rus ose ndryshimin e politikës në Rusi," tha ai. "Kjo ka të bëjë me mbrojtjen e popullit të Ukrainës. Putini do të përpiqet ta trajtojë atë si një luftë midis tij dhe Perëndimit, por ne nuk mund ta pranojmë këtë."
Megjithatë, kjo është gjithnjë e më shumë ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara, pasi sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka sugjeruar se nuk do të mjaftonte thjesht të mposhteshin forcat ruse.
“Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar deri në atë masë sa të mos mund të bëjë më ato gjëra që ka bërë në pushtimin e Ukrainës”, tha ai.
Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e sanksioneve ndaj sektorit të mbrojtjes së Rusisë, ose mund të nënkuptojë që t'i jepen Ukrainës mjetet për të shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të forcave ushtarake ruse. Sido që të jetë, nga frika se Putini mund të shfrytëzojë retorikën për të pretenduar se Perëndimi me të vërtetë përbën një kërcënim ekzistencial për Rusinë, jo të gjithë aleatët perëndimorë mund të ndajnë ambicie të tilla.
Mbështetje ushtarake për Ukrainën
Perëndimi është kryesisht i bashkuar në mbështetjen ushtarake të Ukrainës. Por ndryshon për sa i përket specifikave. Disa vende hezitojnë të ofrojnë armatim të rëndë, nga frika se mund të zgjasë gjakderdhjen, ndërsa vende të tjera po shtojnë në dërgesat e tyre të municionit edhe armë të fuqishme.
Ndër ndihmat e dhëna ushtarake nga Mbretëria e Bashkuar për Ukrainë, janë edhe armët antitank.
Tobias Ellwood, kryetar i Komitetit të Përzgjedhur të Mbrojtjes, dëshiron që Britania të japë më shumë. "Ne po bëjmë mjaftueshëm për të parandaluar humbjen e Ukrainës, por jo aq sa për të siguruar që ajo të fitojë," tha ai për BBC.
Por, të tjerët në Perëndim mund të kenë frikë se shndërrimi i mbrojtjes së Ukrainës në një luftë të plotë me Rusinë mund ta shtyjë Putinin në përshkallëzimin e konfliktit, qoftë duke sulmuar objektiva të tjerë perëndimor, duke nisur sulme kibernetike apo edhe duke përdorur armë të shkatërrimit në masë.
Jo më kot ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi për rrezikun "serioz dhe real" të luftës bërthamore.
Mbështetje për zgjidhjen politike
Në një moment, mund të ketë një ngërç ushtarak dhe mund të rritet presioni për një zgjidhje politike. Supozimi dërrmues është se Perëndimi do të mbështesë çdo gjë që Ukraina zgjedh të bëjë. Por, çka nëse nuk është kështu?
Po sikur disa vende perëndimore të bëjnë presion ndaj Ukrainës për të paditur për paqe, por udhëheqja në Kiev dëshiron të vazhdojë të luftojë? A mund të fillojnë disa vende të kufizojnë mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën? Ose si alternativë, çka nëse Ukraina bie dakord për një zgjidhje politike që Perëndimi kundërshton, duke menduar se e shpërblen shumë Rusinë? A mund të refuzojnë disa vende të heqin sanksionet ndaj Rusisë dhe potencialisht të prishin një marrëveshje paqeje?
Ekziston një debat kritik midis politikëbërësve perëndimorë rreth asaj se çfarë lloj zgjidhjeje politike mund të bihet dakord në Ukrainë. A do të jetë prioritet rimarrja e kontrollit të territorit të pushtuar nga Rusia - apo sigurimi i sigurisë, integritetit dhe qëndrueshmërisë së ardhshme të asaj që ka mbetur pas nga Ukraina.
Një zyrtar i lartë perëndimor e zbuloi këtë tension pothuajse në të njëjtën mënyrë. "Nuk mund të shihet se Putini ka marrë me sukses kufijtë sovran të Ukrainës," tha ai, përpara se të shtonte se,"plani ynë afatgjatë për Ukrainën është që ajo të ketë sukses si një shtet sovran dhe i pavarur". Këto dy objektiva nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.
Në terma praktike, kjo do të thotë se do të ketë zgjedhje të vështira kur vjen puna për të rënë dakord për një zgjidhje politike. A duhet, për shembull, Perëndimi të bëjë presion që forcat ruse të tërhiqen plotësisht në kufijtë e para-shkurtit 2022 apo të lënë vetëm disa nga zonat që kanë pushtuar?
Për Ben Wallace, Sekretarin e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, asnjë opsion nuk do të mjaftonte. "Nga ana ime, unë dua që Putini të largohet nga jo vetëm kufijtë e para shkurtit. Ai pushtoi Krimenë në mënyrë të paligjshme, ai pushtoi Donetsk ilegalisht dhe ai duhet të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe në afat të gjatë të largohet nga Ukraina."
Por, kjo mund të mos jetë një pikëpamje që e kanë edhe të tjerët në Perëndim.
Sanksionet e energjisë ndaj Rusisë
Fuqitë perëndimore mund të kundërshtojnë sanksionet. Tani për tani, janë pajtuar, por çka nëse kërkohet të vendosen më shumë sanksione ndaj eksporteve të saj të naftës dhe gazit.
Vendet e varura nga energjia ruse thonë se ekonomitë e tyre mund të mbijetojnë pa të, por nëse luftimet vazhdojnë për ca kohë, mund të ketë ndryshime. Disa vende mund të duan të rrisin sanksionet ndaj Moskës në përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit e disa mund të duan të reduktojnë sanksionet e energjisë pasi popullsia e tyre bëhet më pak tolerante ndaj kostos ekonomike.
E ardhmja e Ukrainës
Mund të jetë e mundur që Perëndimi të mos pajtohet as për të ardhmen afatgjatë të Ukrainës. Çfarë ndodh nëse ka ndarje brenda Ukrainës? Po sikur të shfaqen fraksione, të tilla si nacionalistët që duan të vazhdojnë të luftojnë dhe kompromistë që duan të bien dakord për një marrëveshje? A do të duhej që Perëndimi të mbajë anë?
Sa të hidhura mund të jenë ndarjet brenda Ukrainës? Disa analistë madje kanë spekuluar për mundësinë e një lufte civile, duke bërë krahasime me ndarjet brenda Irlandës në vitin 1922- ose po sikur Ukraina të fillonte të bënte zgjedhje politike që Perëndimi mund të kundërshtonte?
Fiona Hill, ekspertja e Rusisë dhe ish-zyrtare e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, ka sugjeruar se Ukraina mund të kërkojë të zotërojë një armë bërthamore për të garantuar sigurinë e saj në të ardhmen.
"Sa më shumë që Putin vazhdon të vendosë armë bërthamore atje... është thjesht më shumë presion mbi vendet si Ukraina që të mendojnë se mënyra e vetme e vërtetë për mbrojtje është të nxitojnë dhe të marrin një armë bërthamore," tha ajo në një seminar në institutin e mendimit "Ndryshimi i Evropës".
Në rrethana të tilla, a do të ishte i gatshëm Perëndimi t’i siguronte Ukrainës armë konvencionale? Apo të mendohej edhe për anëtarësimin e saj të mundshëm në Bashkimin Evropian?
Çështja është se pozicionet e politikave në konflikt janë rrallë statike, dhe të supozohet se uniteti perëndimor do të qëndrojë automatikisht para sfidave përpara, mund të jetë e gabuar.