Çfarë plani po hartojnë zyrtarët amerikanë dhe rusë për fundin e luftës në Ukrainë?
Zyrtarë amerikanë dhe rusë hartojnë plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i bazuar në kapitullimin e Kievit
Zyrtarë të SHBA-së dhe Rusisë kanë hartuar në heshtje një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili do të kërkonte që Kievi të dorëzojë territor dhe të kufizojë ndjeshëm madhësinë e ushtrisë së tij. Lajmi u raportua të mërkurën, në të njëjtën kohë që sulmet ruse me dronë dhe raketa vranë të paktën 25 persona në qytetin Ternopil, shkruan The Guardian.
Draft-plani, i cili thuhet se është zhvilluar nga i dërguari i Donald Trump-it, Steve Ëitkoff, dhe këshilltari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do t’i impononte Ukrainës masa shumë të ashpra që do t’i jepnin Rusisë kontroll të paparë mbi sovranitetin ushtarak dhe politik të vendit. Në Kiev, plani ka shumë gjasa të shihet si kapitullim.
Të dy burrat kanë krijuar një kanal të rëndësishëm, por jozyrtar, komunikimi mes Moskës dhe Uashingtonit, dhe nuk është e qartë nëse administrata e Trump-it e ka mbështetur zyrtarisht këtë plan.
Financial Times dhe Reuters raportuan se propozimi do të kërkonte që Ukraina të dorëzonte territore që kontrollon aktualisht në lindje të vendit dhe të përgjysmonte ushtrinë e saj – kushte të cilat presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i ka quajtur më herët të papranueshme. Kushte të tjera përfshijnë kufizimin e ndihmës ushtarake amerikane dhe kategorive të armëve që përdoren nga ushtria ukrainase.
Ekzistenca e planit 28-pikësh, i cili duket të jetë frymëzuar nga një propozim i ngjashëm i hartuar nga administrata Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, u raportua fillimisht nga Axios. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Guardian për më shumë detaje rreth propozimit.