Çfarë është “shrinkflacion”-i dhe si të mbrohemi prej tij?
Rritja e çmimeve të ushqimit ka prekur miliona familje në mbarë botën dhe inflacioni ka shënuar rritje edhe në vendet më të zhvilluara. Përpos konsumatorëve, pasojat e shtrenjtimit i ndiejnë edhe prodhuesit. Ata zbatojnë një teknikë paksa të fshehtë për t’i rritur çmimet – atë që në anglishte quhet “shrinkflation”. Çfarë është kjo “armë” e fshehtë e prodhuesve?
Termi “shrinkflation” nënkupton zvogëlim të paketimit të një produkti pa ia ulur çmimin – praktikisht, shtrenjtim të produktit, por jo përmes rritjes së drejtpërdrejtë të çmimit.
Konsumatorë në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara kanë raportuar për paketime më të vogla të letrave të tualetit, më pak çipsa në ambalazhe dhe zvogëlim të pakove të prodhimeve të tjera ushqimore.
“Kjo ndodh në valë. Ka qëlluar të jemi në një valë të baticës për momentin për shkak të inflacionit”, thotë Edgar Dworsky, mbrojtës i të drejtave të konsumatorit.
Por a është “shrinkflacion”-i i ligjshëm, si të mbrohemi prej tij?
Konsumatorët janë më të prirur që ta vërejnë ngritjen e çmimeve të produkteve sesa zvogëlimin e paketimeve. “Kemi zbuluar se konsumatorët reagojnë shumë ndaj ndryshimeve periodike të çmimeve, por aspak ndaj zvogëlimeve periodike të sasisë”, kishte thënë më 2004 John Gourville, profesor i administrimit biznesor në Shkollën e Harvardit për Biznes.
Sipas tij, disa kompani e maskojnë “shkrinkflacion”-in me ridizajnim të ambalazhit si shtimi i dhëmbëzimeve në fund të shishes ose pretendimi se produkti tashmë ka më pak kalori.
Një përfaqësues i prodhuesit të pijeve sportive, “Gatorade”, tha në mars se kompania i ka ridizajnuar shishet që ato të jenë “më aerodinamike” dhe “më të lehta për t’u kapur”. Sidoqoftë, vëllimi i shisheve u ndryshua gjithashtu, nga 950 mililitra në rreth 830.
A është “shrinkflacion”-i i ligjshëm?
Tkurrja e vëllimit të paketimeve nuk është e paligjshme, nëse sasia e produktit është e shkruar qartazi në ambalazh dhe nëse “biznesi nuk është duke u përfshirë në praktika të padrejta ose mashtruese”, sipas Zyrës për Çështje të Klientëve në Masschusetts.
“Kjo është e ligjshme. Kompanitë mund t’i ndryshojnë çmimet e produkteve të tyre në cilëndo mënyrë që ato duan. Kështu, ato e bëjnë këtë dhe kjo e pakëson sasinë e ankesave që kompanitë i marrin si pasojë e kësaj gjëje”, tha Tom Fullerton, profesor i ekonomisë në Universitetin e Teksasit.
Si mund të mbrohem nga “shrinkflacion”-i?
Zakonisht, konsumatorët i vërejnë më lehtë ngritjet e çmimeve sesa zvogëlimin e ambalazhit të produkteve. Largimi i kësaj shprehie është veprimi kryesor për t’i mbrojtur nga “shrinkflacion”-i. Mësojini madhësitë e paketimeve dhe çmimin për njësi të produkteve tuaja të parapëlqyera.
Nëse vëreni se paketimi i një produkti është zvogëluar ose ka më pak copa, shqyrtojini prodhuesit e tjerë që ofrojnë produkte të ngjashme, por me kosto më të ulët. Krahasojini çmimet për njësi për të parë se cili prodhues ka çmime më të volitshme.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
