Çfarë është raketa e re bërthamore e Rusisë, “Burevestnik”, që ka rreze të frikshme veprimi?
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha të enjten se vendi i tij e ka testuar me sukses raketën e re, të quajtur “Burevestnik”. Ç‘karakteristika ka kjo armë?
Raketa “Burevestnik”, emri i së cilës përkthehet si “Zgalemi i Stuhisë”, është raketë që lidhet nga toka dhe fluturon në lartësi të vogël. Ajo jo vetëm që mund të bartë një kokë bërthamore, por edhe lëviz me energji bërthamore. Putini e kishte zbuluar projektin e saj për herë të parë në marsin e vitit 2018, raporton agjencia “Reuters”.
Forca shtytëse me energji bërthamore i mundëson kësaj rakete rreze veprimi shumë më të gjatë se motorët tradicionalë me turbombushës, që janë të kufizuar nga sasia e karburantit që mund ta bartin.
Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, duke cituar një revistë specialistike ruse ushtarake më 2021, ka thënë se raketa “Burevestnik” do të kishte rreze teorike të veprimit deri në 20 mijë kilometra, prandaj do të mund të vendosej kudo në Rusi dhe do të mund të sulmonte caqe në Shtetet e Bashkuara.
Revista e njëjtë thotë se lartësia teorike e raketës është vetëm 50 deri në 100 metra mbi sipërfaqe, shumë më e ulët se raketat konvencionale me vetëdrejtim. Ky tipar do ta bënte më të vështirë vërejtjen e raketës nga radarët e mbrojtjes kundërajrore.
Në një raport të vitit 2020 të Qendrës Kombëtare për Inteligjencë Ajrore e Hapësinore të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara thuhet se nëse Rusia e fut me sukses në shërbim këtë raketë, ajo do t’i jepte Moskës një “armë unike me aftësi të shtrirjes ndërkontinentale”.
Zhvillimi i njësisë për forcë shtytëse bërthamore të kësaj rakete ka qenë sfidë e madhe teknike, përfshirë disa testime të dështuara. Më 2019, të paktën pesë specialistë bërthamorë të Rusisë kishin vdekur nga një shpërthim dhe nga lirimi i rrezatimit gjatë një eksperimenti në Detin e Bardhë. Burimet e inteligjencës amerikane kishin thënë se dyshonin që ky shpërthim ishte pjesë e testimit të raketës “Burevestnik”.
Ekspertët perëndimorë për një kohë të gjatë kanë pasur dyshime nëse raketa do të futej ndonjëherë në shërbim. Nisma për Rrezikun Bërthamor, organizatë jofitimprurëse e sigurisë, vlerësoi më 2019 se zhvillimi i saj mund të ishte një dekadë larg.
Zhvillimi i raketës “Burevestnik” dhe i sistemeve të tjera të reja strategjike të Rusisë do të mund t’i ndërlikonte bisedimet mes Moskës dhe Uashingtonit për zëvendësimin e mundshëm të traktatit “New START”, me të cilin kufizohet numri i armëve bërthamore që mund të dislokohen nga të dyja vendet. E ardhmja e këtij pakti është në dyshim, pasi Rusia e pezulloi pjesëmarrjen e saj në të në shkurt dhe marrëveshja skadon në vitin 2026.
