Çfarë janë krimet e luftës dhe a mund të ndiqet penalisht Putini për pushtimin e Ukrainës?
Çfarë është një krim lufte?
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se, edhe pse ndoshta nuk duket, “edhe lufta ka rregullat e saj”.
Këto rregulla janë të përfshira në traktatet e Konventave të Gjenevës dhe në një varg ligjesh dhe marrëveshjesh të tjera ndërkombëtare.
- Civilët nuk mund të sulmohen qëllimisht – as infrastruktura që është jetike për mbijetesën e tyre.
- Për shkak të vuajtjeve të tmerrshme që shkaktojnë, disa armë janë të ndaluara - të tilla si minat tokësore kundër personelit dhe armët kimike ose biologjike.
- Duhet kujdes për të sëmurët dhe të plagosurit – përfshirë ushtarët e lënduar, të cilët kanë të drejta si robër lufte.
- Ligjet e tjera ndalojnë torturën dhe gjenocidin - përpjekjen e qëllimshme për të shkatërruar një grup të caktuar njerëzish.
- Veprat e rënda gjatë luftës si vrasja, përdhunimi ose persekutimi masiv i një grupi njihen si "krime kundër njerëzimit".
Çfarë akuzash për krime lufte ka pasur në Ukrainë?
Javën e kaluar, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Rusia kishte "shkatërruar ndërtesa banimi, shkolla, spitale, infrastrukturë kritike, automjete civile, qendra tregtare dhe ambulanca" - veprime, për të cilat ShBA tha se përbënin krime lufte.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se Rusia ka përdorur taktika "barbare dhe pa dallim".
Pas një sulmi në një teatër që strehonte civilë në qytetin port të rrethuar të Mariupolit, zyrtarët ukrainas akuzuan Rusinë për kryerjen e një krimi lufte. Pasi që, në momentin e sulmit - të cilin Rusia mohon të ketë kryer, fjala "fëmijë" ishte shkruar me shkronja të mëdha në tokë jashtë ndërtesës.

Edhe një sulm ajror të Rusisë në spitalin e Mariupolit, nga i cili mbetën të vrarë 17 punëtorë dhe u plagosën disa pacientë, Ukraina e quajti një krim lufte.
Trupat ruse gjithashtu akuzohen për shënjestrimin e civilëve të arratisur. Ka prova se bomba thërrmuese - municione që ndahen në shumë bomba, kanë goditur zonat civile të Kharkivit.
Mbretëria e Bashkuar thotë se Rusia ka përdorur eksplozivë termobarikë, të cilët krijojnë një vakum masiv duke thithur oksigjen. Këto nuk janë të ndaluara, por përdorimi i tyre i qëllimshëm pranë civilëve me siguri do të shkelte rregullat e luftës.
Ndërkohë, shumë ekspertë argumentojnë se pushtimi në vetvete është një krim nën konceptin e "luftës agresive".

Si ndiqen kriminelët e dyshuar të luftës?
Çdo vend ka për detyrë të hetojë krimet e dyshuara të luftës, e disa kombe e bëjnë këtë më shumë se të tjerët.
Në Mbretërinë e Bashkuar, oficerët e lartë të policisë janë ofruar të ndihmojnë në mbledhjen e provave të krimeve të mundshme në Ukrainë.
Si mund të ndiqen penalisht kriminelët e dyshuar të luftës?
Ka pasur një sërë gjykatash të njëpasnjëshme që nga Lufta e Dytë Botërore - duke përfshirë gjykatën që hetonte krimet e luftës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Gjithashtu është krijuar një organ për të ndjekur penalisht ata që ishin përgjegjës për gjenocidin e Ruandës në vitin 1994.

(Théoneste Bagosora vdiq gjatë vuajtjes së një dënimi 35-vjeçar për rolin e tij në gjenocidin e Ruandës në vitin 1994)
Sot, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) kanë role që mbështesin rregullat e luftës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, vendos për mosmarrëveshjet midis shteteve, por nuk mund të ndjekë penalisht individë. Në këtë rast Ukraina ka nisur një çështje kundër Rusisë.
Nëse GJND-ja do të vendoste kundër Rusisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së (KSOKB) merr përgjegjësinë për zbatimin e kësaj. Por duke qenë se Rusia është një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit, mund të vërë veton ndaj çdo propozimi për ta sanksionuar atë.
GJNP-ja heton dhe ndjek penalisht kriminelët individualë të luftës që nuk janë para gjykatave të shteteve individuale. Kjo gjykatë është pasardhëse moderne e Nurembergut, që ndoqi penalisht udhëheqësit kryesorë nazistë në vitin 1945.
Nuremberg çimentoi parimin se kombet mund të krijonin një gjykatë speciale për të mbështetur ligjin ndërkombëtar.

A mundet GJNP të ndjekë penalisht shkeljet në Ukrainë?
Kryeprokurori i GJNP-së, avokati britanik Karim Khan QC, thotë se ka një bazë të arsyeshme për të besuar se në Ukrainë janë kryer krime të luftës.
Ai tha se hetuesit do të shqyrtojnë akuzat e së kaluarës dhe të tashmes - duke u kthyer deri në vitin 2013, përpara aneksimit të Krimesë nga Rusia nga Ukraina.
Nëse ka prova, prokurori do t'u kërkojë gjyqtarëve të lëshojnë urdhër-arreste për të sjellë individë në gjyqin e Hagës. Por, edhe në fuqinë praktike të kësaj gjykate ka kufizime, pasi që vetë gjykata nuk e ka forcën e saj policore dhe për arrestimet e të dyshuarve mbështetet në shtetet individuale.
Ashtu si ShBA, as Rusia nuk është anëtare e gjykatës - ajo u tërhoq në vitin 2016, prandaj dihet se presidenti Putin nuk do të ekstradojë asnjë të dyshuar.
Nëse një i dyshuar shkon në një vend tjetër, ai mund të arrestohet - por kjo është një “nëse” e madhe.

A mund të ndiqen penalisht presidenti Putin apo udhëheqës të tjerë?
Është shumë më e lehtë t'i kapësh një krim lufte një ushtari që e kryen atë sesa liderit që e urdhëroi krimin.
Por GJNP-ja mund të ndjekë penalisht edhe veprën penale të "bërjes së luftës agresive".
Kjo do të thotë, ndjekje e një krimi të një pushtimi apo konflikti të pajustifikuar, përtej veprimeve të justifikueshme ushtarake në vetëmbrojtje.
Një praktikë e tillë filloi në Nuremberg, pasi gjyqtari i dërguar nga Moska i bindi aleatët se edhe udhëheqësit nazistë duhet të përballen me drejtësinë për "krime kundër paqes".
Megjithatë, profesori Philippe Sands QC, një ekspert për të drejtat në University College London, thotë se GJNP nuk mund të ndjekë penalisht liderët rusë, sepse Rusia nuk është pjesë e gjykatës.
Në teori, Këshilli i Sigurimit të OKB-së mund të kërkojë nga GJNP-ja që ta hetojë këtë vepër. Por përsëri, Rusia mund të vërë veton.
Pra, a ka ndonjë mënyrë tjetër për të ndjekur individët penalisht?
Efektiviteti i GJNP-së dhe mënyra se si ligji ndërkombëtar funksionon në praktikë, nuk varet vetëm nga traktatet, por edhe nga politika dhe diplomacia. Prandaj, edhe Prof. Sands dhe shumë ekspertë të tjerë argumentojnë se ashtu si te Nuremberg, zgjidhja qëndron edhe një herë në diplomaci dhe marrëveshje ndërkombëtare.
Si një mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, ai u ka bërë thirrje liderëve botërorë që të krijojnë një “gjykatë ad hoc”, për të ndjekur penalisht krimin e agresionit në Ukrainë.