Çfarë do të ndodhte nëse vdes Putini: 3 skenarë makthi nga vendi që posedon armë bërthamore - NACIONALE

Çfarë do të ndodhte nëse vdes Putini: 3 skenarë makthi nga vendi që posedon armë bërthamore

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekspertët frikësohen se në rast të vdekjes së Vladimir Putinit mund të shkaktohet një skenar që lejon aktorët e këqij të marrin në dorë armët bërthamore në mes të kaosit politik në Moskë.

The Sun shkruan se, thashethemet për shëndetin e liderit rus janë shfaqur prej muajsh, ndërsa raportet pretendojnë se ai mund t'ia transferojë pushtetin një ish-spiuni ndërsa i nënshtrohet një operacioni për kancer.

Besniku i Kremlinit, Nikolai Patrushev, 70 vjeç, është vlerësuar si një zëvendësues i mundshëm - por nuk është e sigurtë se kush e pason Putinin nëse ai bëhet i paaftë ose vdes.

Eksperti rus Taras Kuzio, një studiues në Shoqërinë Henry Jackson, zbuloi se pa Putinin do të zhvillohej "një luftë e brendshme se kush do të jetë në krye të Kremlinit".

Ekspertët kanë spekuluar se në rast të vdekjes së Putinit, Rusia mund të forcojë marrëdhëniet e saj me Lindjen, ose të bëhet një shtet i dështuar.

SFIDË PËR ShBA

Eksperti gjeopolitik Brandon J Weichert paralajmëroi se një figurë më e zgjuar mund të pasojë Putinin dhe një shtet i ardhshëm rus mund të formojë një bosht autoritar me Kinën.

Boshti mund të bëhet aq i fuqishëm sa të kërcënojë idealet perëndimore të demokracisë dhe lirisë, duke paraqitur një sfidë për ShBA-në.

Kina nuk e ka miratuar zyrtarisht pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por Pekini dhe Moska kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në sektorin financiar dhe për furnizimin me gaz. Të dy vendet, po ashtu vitin e kaluar kanë kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe kanë nënshkruar një pakt bashkëpunimi ushtarak.

Ndërkohë, pavarësisht sanksioneve gjymtuese të vendosura ndaj ekonomisë ruse nga Perëndimi, rubla është rikthyer në nivelet e paraluftës pasi forcoi pozicionin e saj ndaj dollarit.

Weichert paralajmëroi se: “Një shkëputje afatgjatë nga sistemi ekonomik perëndimor mund ta bëjë Rusinë më të fortë, më të pavarur dhe më të qëndrueshme.” Sipas tij, në një botë pas Putinit, Rusia mund të thellojë lidhjet e saj me Kinën.

Ai shpjegoi se: "Anëtarët e Siloviki (rrethi i brendshëm i Putinit) gjithmonë kanë favorizuar përpjekjet për ta afruar Rusinë me Azinë."

“Ata mendojnë se është më mirë të kesh një marrëdhënie me Lindjen sesa një marrëdhënie armiqësore, veçanërisht pasi Perëndimi nuk është i interesuar të jetë mik i Rusisë.”

Weichert thotë se, do të kishte një evolucion të autoritarizmit nëse Kina dhe Rusia thellojnë marrëdhëniet e tyre.

AKSI AUTORITAR

Një shtet i ri rus mund të krijojë marrëdhënie me Iranin, Korenë e Veriut dhe Sirinë - potencialisht duke krijuar një aleancë euroaziatike. Më pas, shtetet e Amerikës Latine si Kuba, Nikaragua dhe Venezuela mund të absorbohen në aleancë.

Studiuesja Isabel Sawkins, e Shoqërisë Henry Jackson, tha se: "Ka një histori marrëdhëniesh midis Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës Latine".

Ndërsa sipas Weichert, marrëdhëniet e një shteti të ardhshëm rus me Kinën do të fillonin me një bashkëpunim të lirshëm përpara se Pekini të bëhej "qendra kryesore".

“Perëndimi mund të jetë duke krijuar një përbindësh të Frankensteinit. Por, në fund Rusia do të bëhej një shtet vasal i perandorisë së re të Kinës”.

Weichert tha se një partneritet Rusi-Kinë pas Putinit do të dukej i ngjashëm me marrëdhëniet midis Moskës dhe Bjellorusisë.

JO KOHEZION

Weichert shpjegoi se pasardhësi i Putinit do të duhet të respektohet nëse rusët do të donin të konsolidojnë pushtetin.

Ai tha: “I vetmi që mund ta mbajë Rusinë së bashku është Patrushev, por ai nuk është një pulë pranvere. Në një moment, ata do të mbeten pa njerëz që janë kompetent dhe të aftë për të drejtuar vendin."

Duke përjashtuar Patrushevin, Weichert ka frikë se nuk ka njeri që mund të ketë të njëjtin nivel respekti si Putini. Por, Kuzio nuk beson se Rusia do të shembet dhe do të ndahet në republika të ndryshme.

Ai tha se: "Rusia ka më shumë gjasa të kthehet në atë që ishte në vitet 1990 - një shtet kaotik dhe i dështuar ku qeveritë rajonale nuk e dëgjonin Moskën."

"Armët në duar të gabuara"

Weichert ka frikë se do të shfaqen qendra të shumta pushteti nëse pasardhësi i Putinit nuk është në gjendje të ruajë kohezionin. Ai paralajmëroi se mund të ofrohet një mundësi për grupet e krimit të organizuar.

“Ata do të përpiqen të fitojnë pushtet si një situatë e Game of Thrones ku mbreti i fortë është zhdukur dhe të gjithë të tjerët përpiqen të përdorin ndikimin e tyre për të arritur në vendin numër një”.

Në vitet 1990, udhëheqësit perëndimorë kishin frikë se armët bërthamore dhe WMD mund të përfundonin në duart e regjimeve autoritare pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

ShBA dhe aleatët e saj atë kohë formuan Programin Bashkëpunues për Reduktimin e Kërcënimeve për të "siguruar dhe çmontuar armët e shkatërrimit në masë dhe infrastrukturën e tyre të lidhur në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik".

Kur BRSS u shemb, rreth 30,000 armë bërthamore u shpërndanë në katër vende dhe sipas Qendrës së Kontrollit të Armëve, u gjetën edhe të paktën 40,000 tonë armë kimike.

Nëse shteti rus shembet dhe një program i ngjashëm nuk ekziston, Weichert ka frikë se armët bërthamore mund të përfundojnë në duart e grupeve terroriste.

Në Rusinë pas Putinit, udhëheqësit ushtarakë ose të inteligjencës që kanë akses në sistemet e armëve mund të duan të rrisin fuqinë e tyre ose të fitojnë para dhe Weichert ka frikë se zyrtarët mund t'i përdorin ato sisteme raketore si levë. Ato do t'i shiteshin ofertuesit më të lartë dhe potencialisht do të përfundonin në tregun e zi.

'Vdekja e Putinit'

Kuzio parashikon se Ukraina do ta fitojë luftën deri në fund të vitit 2022 ose fillimi i 2023, duke çuar përfundimisht në vdekjen e Putinit. Ai pretendon se qeveritë perëndimore besojnë se nëse vazhdojnë të furnizojnë me armë Kievin dhe kjo çon në një fitore të Ukrainës, atëherë është fundi për Putinin.

Kryeministri britanik Boris Johnson tashmë ka premtuar 300 milionë funte të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa Presidenti Biden i ka kërkuar Kongresit mbështetje shtesë për të ndihmuar në luftën kundër Rusisë.

Forcat Ajrore të ShBA-së zbuluan se Uashingtoni DC ka dhënë rreth 2.6 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Ukrainën deri më tani.

Kuzio tha: “Ndikimi i sanksioneve perëndimore, armët e reja që vijnë nga Perëndimi dhe numrat e lartë të viktimave do të rriten edhe më shumë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pretendoi më 30 prill se Rusia kishte humbur më shumë se 23,000 ushtarë në konflikt deri më tani.

Ndërkohë, Bashkimi Sovjetik humbi rreth 15,000 trupa gjatë 10 viteve në Afganistan, në vitet 1980. Kuzio parashikon se deri në fund të konfliktit humbjet ruse mund të arrijnë të paktën 50,000.

Ai beson se nëse Puini vazhdon të tregojë një shenjë dobësie, do të fillojnë gjithashtu edhe luftimet e brendshme.

Ai tha: “Një diktator nuk duhet të tregojë kurrë një shenjë dobësie."

'Lufta me shëndetin"

“Për çështjen e shëndetit të Putinit, mendoj se disa prej tyre janë ndoshta spekulime dhe ekzagjerime, por nuk ka tym pa zjarr. Patjetër që diçka po ndodh. Nëse shikoni një foto të Putinit në 2014 dhe një foto të tij sot, ka dy fytyra të ndryshme. Diçka po ndodh me shëndetin e tij.”

Kuzio thotë se Putini është më “paranojak dhe konspirativ”.

Ish-zëvendës shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali Jack Keane, tha për Fox News se: “Ai është i gjithi për të qëndruar në pushtet. Ky është motivimi i tij. Ai do të bëjë gjithçka për të qëndruar në pushtet. Alternativa, ai e di fare mirë, nga një pasardhës që nuk pajtohet me të, mund të nënkuptojë fundin e tij – vdekjen e tij.”

Fotot e Putinit janë shfaqur me fytyrën e fryrë ndërsa ekspertët e gjuhës së trupit kanë spekuluar se ai mund të vuante nga një sëmundje e rëndë. Një hetim nga media Proekt zbuloi se Putin shoqërohet “vazhdimisht” nga një mjek i specializuar për kancerin e tiroides.

Në raport thuhet se kirurgu specialist i kancerit të tiroides, Yevgeny Selivanov, ka fluturuar jo më pak se 35 herë për në Soçi për të qenë pranë liderit rus.

Putin po ashtu takoi disa njerëz që janë testuar për Covid gjatë pandemisë dhe u detyrua të izolohej në shtator 2021, pasi disa njerëz afër tij u infektuan.

Në vitin 2015, studiuesit pretenduan se kanë identifikuar shenja në ecjen e Putinit, të cilat mund të tregojnë për sëmundjen e Parkinsonit. Ekipi vuri re se si Putini kishte një tendencë për të mbajtur njërin krah të mbërthyer në anën e tij.

Gjithashtu është pohuar se ai ishte trajtuar për kancer. Analisti politik Valery Solovei pretendoi se Putini iu nënshtrua një operacioni në shkurt 2020 dhe një burim tjetër rus vazhdoi të pretendonte se ishte një operacion i kancerit të barkut.

Lajme të ngjashme