Çfarë dihet deri më tani për sulmuesin e kryeministrit sllovak?
Kryeministri sllovak, Robert Fico, ishte në gjendje “shumë serioze” por stabile në një repart të kujdesit intensiv të enjten, tha një zyrtar spitali, një ditë pasi u qëllua pesë herë nga afër në një atentat.
Policia sllovake ka ngritur akuzë ndaj të dyshuarit për sulm për vrasje në tentativë, raportoi të enjten medium sllovak, “Tvnoviny.sk”, përcjell agjencia “Reuters”.
Edhe pse shumë gjëra mbeten të paqarta për sulmin, më poshtë sjellim disa hollësi për të dyshuarin.
Mediat sllovake kanë thënë se sulmuesi i dyshuar, i cili ishte kapur në vendin e ngjarjes, është një burrë 71-vjeçar. I armatosuri shkrepi pesë plumba në drejtim të kryeministrit, kur ky po i përshëndeste përkrahësit pas një takimi qeveritar në qytezën Handlova, në pjesën qendrore të Sllovakisë.
Motivi i sulmit mbetet i paqartë, edhe pse ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, tha se përpjekja për vrasje ishte e motivuar politikisht dhe se “vendimi i autorit u lind ngushtë pas zgjedhjeve presidenciale”.
Një aleat i Ficos, Peter Pellegrini, i fitoi zgjedhjet presidenciale me garë të ashpër muajin e kaluar.
I dyshuari dikur kishte punuar si rojë në një qendër tregtare, është autor i tri koleksioneve me poezi dhe anëtar i Shoqërisë Sllovake të Shkrimtarëve, kanë raportuar mediat sllovake.
Një anëtare e Klubit Letrar “Ylberi” i tha agjencisë “Reuters” se ajo e njeh të dyshuarin, duke shtuar se ai ishte njëri ndër anëtarët themelues dhe kryetar për një kohë. Në një deklaratë, klubi e dënoi sulmin dhe tha se si grup jopolitik ia ka hequr të dyshuarit anëtarësinë “me efekt të menjëhershëm”.
Në një video pa datë të publikuar në “Facebook”, sulmuesi i dyshuar dëgjohej duke thënë: “Unë nuk pajtohem me politikën qeveritare”. Agjencia “Reuters” vërtetoi se personi në video përputhet me pamjet e burrit të arrestuar pas të shtënave në drejtim të kryeministrit Fico.
Mediumi sllovak, “Aktuality.sk”, e citoi të birin e të dyshuarit të ketë thënë se babai i vet ishte mbajtës i ligjshëm i një arme. “Unë absolutisht nuk kam ide se çfarë synoi babai im, çfarë planifikoi, çfarë ndodhi” – citohet të ketë thënë biri i të dyshuarit.
I biri i të dyshuarit tha se e tëra që mund të thoshte ishte se pikëpamjet e babait të tij për Ficon ishin se ai nuk e ka votuar. Ai gjithashtu tha se babai i tij nuk është pacient psikiatrik.