Çekia e shpall të shtunën ditë zie pas sulmit më të rëndë masiv në vend
Policia çeke është duke punuar për ta zbuluar motivin e sulmit më të rëndë masiv në këtë shtet, pasi një student vrau 14 persona e plagosi 25 të tjerë në një universitet në qendër të Pragës.
Presidenti i vendit, Petr Pavel, ka bërë thirrje për unitet dhe ka thënë se ky sulm nuk duhet të përdoret për nisjen e sulmeve politike ose përhapjen e dezinformatave. E shtuna është shpallur ditë zie.
Në mesin e viktimave, emrat e të cilave nuk janë publikuar, përfshihet edhe babai i sulmuesit, raporton televizioni BBC.
Presidenti Pavel i shprehu “pikëllimin e madh” dhe “zemërimin e paaftë për humbjen tërësisht të panevojshme të jetës së njerëzve”.
Të shtënat filluan rreth orës 15 të enjten në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Çarls në qendër të kryeqytetit Pragë.
Sulmuesi hapi zjarr në korridoret dhe sallat e ndërtesës, si duket duke vrarë njerëz në mënyrë rastësore, ndërsa stafi dhe studentët përdorën orendi për ta barrikaduar vetën nëpër salla.
Në pamje dramatike të publikuara në rrjete sociale u panë njerëz duke kërcyer nga lartësia e ndërtesës, disa kate mbi tokë. Në video u dëgjuan edhe të shtëna armësh.
Policia thotë se sulmuesi ishte student 24-vjeçar në këtë universitet dhe nuk kishte të kaluar kriminale, edhe pse është gjetur “arsenal i madh i armëve dhe municionit” në objekt. Ai është identifikuar nga mediat lokale si David Kozak.
Para sulmit, policia kishte pranuar një raportim se i dyshuari besohej se ishte nisur për në Pragë nga një qytezë e afërt me synimin për ta vrarë veten.
Policia i kishte evakuuar njerëzit nga një ndërtesë tjetër e universitetit, ku sulmuesi pritej që të merrte pjesë në një ligjëratë, por pak më vonë u thirr për të shkuar tek objekti kryesor i fakultetit.
Policia tha se kishin pasur informatë të pakonfirmuar nga një llogari në rrjete sociale se sulmi ishte frymëzuar nga një incident i ngjashëm në Rusi, edhe pse autoritetet nuk ofruan hollësi.
Autoritetet thanë se sulmuesi ishte i dyshuar edhe për vrasjen e një burri të ri dhe vajzës së tij 2-muajshe, të cilët ishin gjetur të vdekur në një pyll në periferi të Pragës më 15 dhjetor.
Nga 25 të plagosurit gjatë sulmit, 10 kanë lëndime serioze, tha policie, duke shtuar se asnjë pjesëtar i forcave të sigurisë nuk është lënduar.