Çekia do të blejë municion për Ukrainën nga interesi prej aseteve të ngrira ruse
Republika Çeke do të përdorë një pjesë të interesit të fituar nga asetet ruse të ngrira nga Bashkimi Evropian për të blerë më shumë municion të kalibrit të madh për Ukrainën, tha të martën Ministria çeke e Mbrojtjes.
Shtetet perëndimore bllokuan asete sovrane ruse me vlerë të rreth 300 miliardë dollarëve pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet e BE-së po e marrin interesin e fituar nga asetet e ngrira – ku përfshihen letra me vlerë dhe sigurime të tjera që janë blerë nga Banka Qendrore e Rusisë – dhe po e vendosin në një fond të BE-së për ta ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.
Qeveritë e vendeve të BE-së u pajtuan në qershor për të shfrytëzuar 1,4 miliard euro nga fitimi i siguruar nga asetet e ngrira për të blerë armë dhe për të paguar lloje të tjera të mbështetjes për Ukrainën.
Ministria e Mbrojtjes e Republikës Çeke tha se një pjesë e të hollave do të përdoreshin në një përpjekje që ky shtet ka qenë duke e udhëhequr për të blerë municion artilerie për Ukrainën në vende të ndryshme të botës, me financimin e partnerëve perëndimorë.
Në qershor, Ukraina e pranoi kontingjentin e parë si pjesë e kësaj nisme dhe dërgesat vazhdojnë çdo muaj, sipas zyrtarëve çekë.
“Kjo është një mundësi unike për ta mbështetur Ukrainën shpejt dhe në mënyrë efikase” – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës Çeke.
Kremlini e ka quajtur “vjedhje” planin për ta shfrytëzuar interesin e fituar nga asetet e ngrira ruse për ta financuar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe ka thënë se do të ndërmarrë masa ligjore kundër kujtdo që është përfshirë në këtë vendim./Nacionale