Turqia - Greqisë: Mos u beso të tjerëve, nuk je në avantazh me armën e dikujt tjetër - NACIONALE

Turqia - Greqisë: Mos u beso të tjerëve, nuk je në avantazh me armën e dikujt tjetër

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Duke komentuar lidhjet me Greqinë mes tensioneve të fundit midis vendeve, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu tha se Turqia "e ka parë pasinqeritetin e Greqisë në çdo platformë".

Çavusoglu i ka bërë thirrje Athinës që të kërkojë miqësinë e Ankarasë, duke e paralajmëruar të mos u besojë të tjerëve.

"Mos u beso të tjerëve, nuk do të përfitosh asnjë avantazh duke pasur avionin ose armën e dikujt tjetër. Nuk ka nevojë të mburreni vetëm se keni ngritur pak baza në vendin tuaj. Nëse doni të zgjidhni problemet bëhuni fillimisht të sinqertë, por ne nuk e shohim këtë sinqeritet në Greqi.”

Sipas Anadolu Agency, Çavusoglu më tej ka thënë se, “ne do të bëjmë çfare të jetë e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e popullit qipriot turk.

Në fjalën e tij, ministri turk gjithashtu ishte zotuar se Turqia do të vazhdojë eksplorimin e saj energjetik në Mesdheun Lindor, duke e quajtur këtë një “të drejtë dhe detyrë” të Turqisë.

Turqia, një anëtare e NATO-s për më shumë se 70 vjet, së fundmi është ankuar për veprimet dhe retorikën e përsëritur provokuese të Greqisë në rajon gjatë muajve të fundit, duke përfshirë armatimin e ishujve pranë brigjeve turke që janë çmilitarizuar sipas një traktati të gjatë, duke thënë se lëvizje të tilla pengojnë mirëbesimin e saj në përpjekjet për paqe.

Bëhet e ditur se Çavusoglu më tej ka thënë se “bota po kalon në një faze delikate”.

"Kjo fazë është gjithashtu një disavantazh, pasi thellon pasiguritë. Përveç aktorëve globalë, kriza e pandemisë së pari tronditi botën. Ashtu siç e kaluam pandeminë dhe bota u bë normale, filloi një luftë në mes të Evropës," është shprehur ai.

Ai poashtu ka shtuar se të paktën 60% e konflikteve globale ndodhin afër Turqisë.

"Brenda 20 viteve të fundit, Republika e Turqisë është bërë një aktor shumë i rëndësishëm rajonal dhe global. Turqia po bëhet një aktor shumë i rëndësishëm globalisht, jo sepse është vendi më i fortë në botë, por sepse ne përdorim forcën dhe fuqinë tonë për paqen. Sepse ne po themi çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar dhe po mbajmë premtimet tona”, ka përfunduar Çavusoglu.

Lajme të ngjashme