Caktohen vendi dhe dita e takimit të shumëpritur e me peshë, Biden - Jinping
Takimi i shumëpritur mes presidentëve të dy ekonomive më të mëdha në botë, Joe Biden e Xi Jinping – presidentë të ShBA-së dhe Kinës – është caktuar të zhvillohet të mërkurën në San Fancisko të Shteteve të Bashkuara, raporton televizioni CNN.
Për zhvillimin e rëndësishëm, televizioni i njohur amerikan citoi zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Biden. Mediumi e cilëson këtë takim test për atë nëse dy udhëheqësit mund ta ngadalësojnë spiralen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes vendeve të tyre në një moment të trazirave globale.
Në këto bisedime nuk pritet të arrihet ndonjë ngrohje e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe më me ndikim në botë. Në vend të kësaj, vetë fakti që takimi do të zhvillohet po shihet nga ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë si shenjë pozitive pas disa muajve fërkimesh. Zyrtarët amerikanë thanë se udhëheqësit shpresojnë që të zhvillojnë një “kornizë” për menaxhimin e marrëdhënieve të suksesshme konkurruese mes dy fuqive, me qëllim të sqarimit të perceptimeve të gabuara dhe shmangies së befasive.
Prapëseprapë, zyrtarët thanë se ndihmësit e Bidenit do të hyjnë në këtë samit me pritje realiste dhe nuk presin listë të gjatë të rezultateve.
Si kontrast, lista e çështjeve që pritet të ngrihen në takim është e gjatë. Aty përfshihet rivendosja e komunikimit mes ushtrive të të dyja vendeve, objektiv i rëndësishëm për Bidenin, i cili pritet t’i bëjë presion homologut kinez për këtë temë.
Në tavolonë do të jenë edhe konflikti Izrael – Hamas e lufta e Rusisë në Ukrainë, fushat e bashkëpunimit të mundshëm, si luftimi i ndryshimeve klimatike e i trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe diskutimi i mosmarrëveshjeve të thella për çështjet e të drejtave të njeriut e eskalimi i tensioneve ushtarake në Detin e Kinës Jugore e përreth Tajvanit.
Takimi do të zhvillohet në kohën e një tubimi të madh të udhëheqësve të vendeve të Paqësorit në Kaliforni është përgatitur me muaj dhe për të janë nevojitur masa intensive nga të dyja palët. Zyrtarët amerikanë presin që Kina ta njoftojë zyrtarisht pjesëmarrjen e Jinpingut të premten në mëngjes sipas zonës kohore lindore të ShBA-së. Zyrtarët amerikanë thanë se bisedimet do të jenë të gjera dhe do të organizohen në disa sesione punuese.

