Buxheti i Francës për vitin 2026 do të jetë “ankth nate”, thotë zëdhënësja e Qeverisë - NACIONALE

Buxheti i Francës për vitin 2026 do të jetë “ankth nate”, thotë zëdhënësja e Qeverisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Baraspeshimi i buxhetit të Francës për vitin kalendarik 2026 do të jetë sfidë e vështirë për shkak të nevojës që të zvogëlohet deficiti dhe, në të njëjtën kohë, të krijohet hapësirë për shpenzime më të larta ushtarake, tha të mërkurën zëdhënësja qeveritare, Sophie Primas.

“Kryeministri sot këmbëngul që në buxhetin e vitit 2026, i cili do të jetë ankth nate, duke e marrë parasysh nivelin e vështirësive tona financiare, të punohet dhe të konsultohet nga spektri i plotë social dhe parlamentar, shumë prej të cilëve shpesh u duket se nuk dëgjohen” – tha zonja Primas.

“Do të jetë një buxhet shumë i vështirë” – shtoi ajo, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qeveria e kryeministrit Francois Bayrou dëshiron që ta zvogëlojë deficitin buxhetor të sektorit publik nga 5,4 për qind të prodhimit ekonomik këtë vit – njëra nga shifrat më negative fiskale në Bashkimin Evropian – në tavanin e BE-së prej 3 për qind më 2029.

Ministri i Financave, Eric Lombard, tha këtë muaj se ishte duke u bërë punë për fuqizimin e shpenzimeve në mbrojtje në atë mënyrë që as nuk do ta rriste barrën e borxhit të Francës, as nuk do ta minonte sistemin e mirëqenies, i cili çmohet nga shumë qytetarë, edhe pse është i kushtueshëm për shtetin./Nacionale

Lajme të ngjashme