Burgim të përjetshëm infermierit gjerman për vrasjen e 10 pacientëve me injeksione - NACIONALE

Burgim të përjetshëm infermierit gjerman për vrasjen e 10 pacientëve me injeksione

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Një infermier paliativ u dënua të mërkurën me burgim të përjetshëm nga një gjykatë gjermane për vrasjen e dhjetë pacientëve me injeksione vdekjeprurëse dhe për vrasjen në tentativë të 27 të tjerëve.

Prokurorët kishin argumentuar se infermieri u kishte dhënë injeksione kryesisht pacientëve të moshuar me ilaç kundër dhimbjes ose qetësues për t’ia pakësuar vetes punën gjatë ndërrimit të natës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Krimi u cilësua posaçërisht i rëndë, tha një zëdhënës i gjykatës në Aachen, që do të thotë se infermieri ka pak gjasa që të lirohet pas 15 vjetëve në burg, koha minimale që duhet ta vuajë i dënuari prapa grilave në Gjermani, kur dënohet me burgim të përjetshëm.

Infermieri i kreu krimet nga dhjetori i vitit 2023 deri në majin e vitit 2024 në një klinikë afër qytetit Aachen, në pjesën perëndimore të Gjermanisë.

Vendimi i gjykatës mund të apelohet.

Hetuesit janë duke analizuar disa incidente të tjera të dyshimta gjatë karrierës së infermierit, raportuan mediat gjermane.

Në vargun më të rëndë të vrasjeve në historinë e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, një ish-infermier u dënua me burgim të përjetshëm më 2019 për vrasjen e 85 pacientëve të tij./Nacionale

Lajme të ngjashme