Burgim i përjetshëm dy adoleshentëve britanikë për vrasjen e transgjinores Brianna Ghey
Adoleshentët britanikë, Scarlett Jenkinson dhe Eddie Ratcliffe, janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen “jashtëzakonisht brutale” të transgjinores 16-vjeçare, Brianna Ghey. Gjykatësja e rastit tha se vrasja ishte motivuar pjesërisht nga identiteti transgjinor i viktimës.
Scarlett Jenkinson, e cila nga gjykatësja u përshkrua si “forcë drejtuese” prapa vrasjes, nuk ka të drejtë për lehtësim të dënimit të paktën para 22 vjetëve të kaluar në burg për atë që Shërbimi Prokurorial i Kurorës tha se ishte “njëri nga rastet më shqetësuese” me të cilat janë marrë ndonjëherë zyrtarët e tij, raporton gazeta “The Guardian”.
Eddie Ratcliffe, ish-kampion i kikboksit, nuk do të ketë të drejtë për lehtësim të dënimit para 20 vjetëve të kaluar në burg për vrasjen e adoleshentes Ghey, e cila ishte përshkruar si vajzë transgjinore që shpresonte të bëhej terapiste e bukurisë.
Duke e lexuar vendimin për dënimin e dy adoleshentëve 16-vjeçarë, gjykatësja Amanda Yip tha: “Ju të dy morët pjesë në një vrasje brutale e të planifikuar, e cila ishte sadiste për nga natyra dhe ku një motiv dytësor ishte armiqësia ndaj Brianna-s për shkak të identitetit të saj transgjinor.”
Sipas gjykatëses, adoleshentja Jenkinson ishte e motivuar nga një “dëshirë e thellë për të vrarë” dhe ajo shprehu shqetësim që kishte dëgjuar se adoleshentja “e kishte shprehur dëshirën për të vrarë përsëri” pas shqiptimit të dënimit. Ajo kishte shkruar një “listë vrasjesh” të re nga koha e dërgimit në ndalim, ku përfshiheshin emrat e disa prej kujdestarëve të saj, u tha në gjykatë.
Gjykatësja më pas iu tha të dy të pandehurve: “Ju e zgjodhët Brianna-n, sepse të dy menduat se ajo do të ishte shënjestër e lehtë.”
Më tej, gjykatësja Yip i paralajmëroi të dënuarit se ata mund të mos lirohen kurrë nga burgu, nëse “mbeten rrezik”. Edhe pse adoleshentja Jenkinson ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen, në Gjykatën Mbretërore të Mançesterit u tha se që nga dënimi, ajo kishte pranuar se kishte marrë pjesë në therje, ndërsa më parë e kishte fajësuar adoleshentin Ratcliffe për vrasjen.
Tashmë e dënuara i kishte thënë një psikiatri e e kishte therur Brianna-n “në mënyrë të përsëritur” dhe se kjo gjë i ishte dukur “tërheqëse” si dhe që e kishte vrarë atë, sepse mendonte që Brianna nuk do të ishte më shoqja e saj. Ajo e vrau Brianna-n në mënyrë që “gjithmonë të ishte me të”, u tha në gjykatë.
Adoleshenjta Jenkinson, e cila ishte e dhënë pas vrasësve serikë, gjithashtu kishte pranuar para psikiatrit se ajo “synonte që të merrte pjesë të trupit të Brianna-s si kujtim”. Ajo më parë i kishte thënë adoleshentit tjetër, Ratcliffe, se donte që t’i mbante “sytë e bukur” të Brianna-s.
Në Gjykatë u tha se Brianna ishte therur 28 herë, por nuk kishte dëshmi që vrasësit e saj kishin marrë ndonjë pjesë të trupit.
Për më tepër, Jenkinsoni kishte pranuar se ishte përpjekur ta helmonte Brianna-n disa javë para vrasjes me tableta të kuqe “Ibuprofen”, “duke pretenduar se ato do ta drogonin atë”.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli