Bullgaria e ndërton shtizën më të lartë të flamurit në Evropë
Një shtizë e gjatë në malet e pjesës jugore të Bullgarisë e ka bërë shtetin më të varfër të BE-së vend të shtizës më të lartë të flamurit në BE. Disa njerëz i ka bërë që të ndihen krenarë, por disa të tjerë i ka zemëruar.
Nacionalizmi dhe populizmi janë në rritje në shtetin ballkanik, ku shumë banorë shprehin përkrahje të fuqishme për Rusinë pavarësisht nga pushtimi rus i Ukrainës.
Flamuri me përmasë gjigante – 1.110 metra katrorë, që e simbolizon sipërfaqen e shtetit prej gati 111 mijë kilometrash katrorë – u vendos në shtizën me lartësi rekorde prej 111 metrash javën e kaluar në një livadh malor në Malet Rodope, raporton gazeta “The Guardian”.
Edhe pse Bullgaria ia ka zënë vendin Finlandës për shtizën më të gjatë të flamurit në Evropë, pasi shteti verior kishte një shtizë 100 metra të lartë, rekordi evropian është shumë prapa rekordeve në botë, ku disa shtiza janë gati dyfish më të larta.

“Kjo nuk do t’i bëjë bullgarët më të pasur, por do ta ngrejë aspektin shpirtëror të njerëzve”- tha Simeon Karakolev, organizator i një festivali folklorik vjetor.
Ai grumbulloi 500 mijë euro donacione për shtizën e flamurit përmes një fushate të mbështetur nga presidenti pro-rus i Bullgarisë, Rumen Radev.
Megjithatë, projekti është përqeshur gjerësisht në rrjete sociale. Një foto-montazh i presidentit duke u lëkundur përreth shtizës është përhapur shumë në internet.
Shumë njerëz kanë thënë se një shtet që ballafaqohet me shkallë të lartë të emigrimit dhe sistem shëndetësor të shkërmoqur ka shqetësime më urgjente se mbledhja e fondeve për një shtizë masive të flamurit.