Bujqit francezë përsëri protestojnë rrugëve
Bujqit në mbarë Francën do të protestojnë të hënën, përderisa mundësia për një marrëveshje tregtare mes vendeve evropiane dhe atyre të grupit Mercosur të Amerikës së Jugut po e thellon pakënaqësinë rreth konkurrencës së jashtme, që kishte nxitur krizë me bujqit më herët këtë vit.
Një shtytje nga Bashkimi Evropian dhe vendet e bllokut Mercosur për t’i përmbyllur bisedimet e gjata tregtare deri në fund të këtij viti e ka rindezur zemërimin në Francë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zemërim i ngjashëm u shpreh nga bujqit në pjesë të ndryshme të Evropës dimrin e kaluar pas shtimit të importeve nga Ukraina pas fillimit të pushtimit të plotë rus.
Sidoqoftë, disponimi në Francë është përkeqësuar më tej, pasi të mbjellat janë goditur nga moti i pafavorshëm, kanë shpërthyer sëmundje në mesin e gjedheve dhe për shkak të zgjedhjeve parlamentare që e shkaktuan shtyrjen e masave të premtuara për ndaljen e protestave të mëparshme, kur bujqit kishin bllokuar autostrada për disa javë.
“I kemi kërkesat e njëjta si në janar, asgjë nuk ka ndryshuar. Ne duhet ta bëjmë qeverinë që të kuptojë se mjaft është mjaft” – tha Armelle Fraiture në fermën e saj në veri të Parisit.
Përderisa bujqit ballafaqohen me importe më të lira, rregullore të rënda dhe të hyra të pamjaftueshme, një marrëveshje me bllokun Mercosur do të paraqiste një qershi të hidhur mbi tortë, tha Arnaud Rousseau, drejtor i sindikatës kryesore të bujqve francezë, FNSEA.
Sipas tij, dhjetëra mijëra bujq në Francë, kultivuesja më e madhe bujqësore në BE, ndodhen në vështirësi financiare.
Bujqit francezë kanë frikë se me një marrëveshje me bllokun Mercosur do të sillen më shumë mish, pula, sheqer e misër nga Brazili e Argjentina, shtete për të cilat thonë se përdorin pesticide ndaj të mbjellave dhe antibiotikë për rritje te gjedhet, që janë të jashtëligjshme në Evropë.
Bujqit do të marshojnë të hënën dhe të martën, kryesisht para ndërtesave qeveritare, si pjesë e protestave të planifikuara deri në mesin e dhjetorit, tha Rousseau./Nacionale