Bujqit francezë bllokojnë rrugë në mbarë vendin, duan të shkojnë edhe në Bruksel - NACIONALE

Bujqit francezë bllokojnë rrugë në mbarë vendin, duan të shkojnë edhe në Bruksel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë bujq francezë mbajtën protesta të mërkurën në mbarë vendin dhe në Bruksel kundër pagave të ulëta dhe atyre që i konsiderojnë rregullore të tepërta, kosto në rritje e probleme të tjera.

Bllikimi i rrugëve po përhapej në shumë rajone franceze, një ditë pasi një fermere dhe vajza e saj vdiqën për shkak të një përplasjeje në trafik në një barrikadë, raporton agjencia “Associated Press”.

Bujqit kanë kthyer mbrapsht edhe shenja të trafikut për të protestuar kundër atyre që i quajnë politika bujqësore joesenciale.

Disa bujq po planifikonin që të protestonin edhe në Bruksel, ku ndodhen institucionet qendrore të Bashkimit Evropian dhe ku sindikata franceze e bujqve, Bashkërendimi Rural, bëri thirrje për një protestë kundër “kufizimeve në rritje të rregulloreve evropiane dhe të ardhurave gjithnjë më të ulëta”.

Këto protesta janë sfida e parë e rëndësishme për kryeministrin e porsaemëruar, Gabriel Attal, i cili u vendos në këtë pozitë para dy jave, dhe për qeverinë e tij. Attali u takua të martën me disa përfaqësues të sindikatave të bujqve.

Pas këtij takimi, ministri i Bujqësisë, Marc Fesneau, premtoi se do të bënte propozime të reja për t’iu përgjigjur krizës deri në fund të javës, përfshirë ato në lidhje me çmimet e ushqimit dhe thjeshtimin e rregulloreve.

Arnaud Rousseau, kryetar i sindikatës franceze të bujqve, FNSEA, tha se organizata e tij do të publikojë të mërkurën më vonë një listë prej 40 masave të nevojshme. Duke folur në televizion, ai tha se qëllimi i lëvizjes protestuese është që “të merren rezultate të shpejta”.

Lajme të ngjashme