Bujqit belgë në protestë, bllokojnë rrugë për ditën e katërt radhazi - NACIONALE

Bujqit belgë në protestë, bllokojnë rrugë për ditën e katërt radhazi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Bujqit bllokuan më shumë arterie trafiku në mbarë Belgjikën të mërkurën, përderisa po synojnë që ta pengojnë tregtinë në porte të rëndësishme në përpjekje të vazhdueshme për të siguruar çmime më të mira për prodhimet e tyre e më pak burokracisë për punën që e bëjnë.

Protestat, tashmë në ditën e katërt dhe pjesë e protestave të bujqve në disa vende të BE-së, kanë sjellë qindra traktorë për ta ngatërruar trafikun në mbarë shtetin me 11,5 milionë banorë. Qindra mijëra belgë janë ballafaquar me pengesa për të arritur në punë ose janë detyruar që t’i anulojnë terminet te mjekët për shkak të bllokimit të rrugëve.

Bujqit planifikojnë që të protestojnë edhe para selisë qendrore të BE-së gjatë samitit të udhëheqësve qeveritarë të enjten. Në Francën fqinje, bujqit protestues i kanë gjuajtur zyrat qeveritare me pleh kafshësh dhe e kanë rrethuar Parisin me barrikada traktorësh e sanë të vendosur rrugëve.

Pavarësisht nga shqetësimet e gjera, qeveria e kryeministrit Alexander De Croo po i trajton protestat - që kanë qenë kryesisht paqësore – me kujdes shumë të madh, raporton agjencia "Associated Press".

“Është me rëndësi që t’i dëgjojmë. Ata ballafaqohen me sfida gjigante”, nga përshtatja ndaj ndryshimeve të klimës dhe përballja me ndotjen mjedisore, tha ai.

Belgjika tash për tash e mban presidencën e BE-së dhe De Croo tha se do ta adresojë problemin gjatë samitit si temë e re shtesë në agjendën e përqendruar tek ofrimi i ndihmës për Ukrainën pas fillimit të pushtimit rus.

Lajme të ngjashme