Britania ua heq sanksionet Ministrisë së Mbrojtjes e agjencive të inteligjencës të Sirisë - NACIONALE

Britania ua heq sanksionet Ministrisë së Mbrojtjes e agjencive të inteligjencës të Sirisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Britania të enjten e shfuqizoi vendimin rreth ngrirjes së aseteve ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe një vargu të agjencive të inteligjencës të Sirisë, duke i larguar sanksionet që ia kishte vendosur këtij shteti gjatë presidencës së tashmë të rrëzuarit, Bashar al-Assad.

Perëndimi është duke e rimenduar qasjen e vet ndaj Sirisë, pasi forcat kryengritëse, të udhëhequra nga grupi Hayat Tahrir al-Sham, e rrëzuan presidentin Assad në dhjetor pas më shumë se 13 vjetëve në luftë civile, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një njoftim të publikuar në internet nga Ministria e Financave e Mbretërisë së Bashkuar thuhet se Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës e Sirisë janë në mesin e 12 entiteteve që nuk do të jenë më subjekt i ngrirjes së aseteve.

Në njoftimin e ministrisë britanike nuk u përmendën arsyet për heqjen e këtyre entiteteve nga lista e sanksioneve.

Muajin e kaluar, Britania e shfuqizoi vendimin për ngrirjen e aseteve të Bankës Qendrore të Sirisë dhe 23 entiteteve të tjera, përfshirë disa banka e kompani karburantesh.

Qeveria britanike në të kaluarën ka theksuar se sanksionet ndaj anëtarëve të regjimit të Assadit do të mbeten në fuqi./Nacionale

Lajme të ngjashme