Britania u vë sanksione dy ministrave ekstremistë izraelitë shkaku i komenteve për Gazën - NACIONALE

Britania u vë sanksione dy ministrave ekstremistë izraelitë shkaku i komenteve për Gazën

5 ditë më parë

nga NACIONALE

Britania e Madhe u ka vendosur sanksione dy ministrave izraelitë të së djathtës ekstreme për shkak të komenteve që ata i kanë bërë për Gazën.

Ministrave Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich do t’u ndalohet hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe do t’u ngrihen asetet si pjesë e masave të njoftuara nga sekretari i Jashtëm, David Lammy, raporton televizioni BBC.

Kryediplomati britanik tha se këta dy ministra kanë “nxitur dhunë ekstremiste dhe abuzime serioze të të drejtave të njeriut të palestinezëve”.

Si kundërpërgjigje, Izraeli tha: “Është mizore që përfaqësues të zgjedhur dhe anëtarë të qeverisë janë subjekt i këtij lloji të masave.”

Përpos Britanisë, këto masa ndaj dy ministrave izraelite do t’i ndërmarrin edhe disa aleatë të Londrës, përfshirë Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re e disa shtete të tjera.

Ministri Smotrich e ka miratuar zgjerimin e vendbanimeve të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe ka bërë fushatë kundër ndihmave humanitare në Gaza, duke thënë muajin e kaluar se nuk do ta lejonte hyrjen “as edhe të një kokrre të grurit” në zonën e luftimeve.

Më 6 maj, ai tha se “Gaza do të shkatërrohet tërësisht, civilët do të dërgohen... në jug të një zone humanitare pa Hamasin ose terrorizmin dhe, nga atje, ata do të fillojnë që të largohen në numra të mëdhenj në vende të treta”./Nacionale

Lajme të ngjashme