Britania thotë se një luftanije e saj ka rrëzuar një dron sulmues mbi Detin e Kuq
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Grant Shapps, tha të shtunën se një luftanije e Forcave Detare Mbretërore ka rrëzuar një dron të dyshimtë sulmues që në shënjestër kishte anije tregtare në Detin e Kuq.
Shapps-i tha se luftanija “HMS Diamond” hodhi një raketë të tipit “Sea Viper” dhe shkatërroi një dron që “po e shënjestronte lundrimin tregtar”. Ky veprim, që u krye gjatë natës, e shënon herën e parë që Forcat Detare Ajrore të Britanisë kanë rrëzuar një cak ajror që nga Lufta e Gjirit më 1991, raporton agjencia “Associated Press”.
Sekretari britanik tha se sulmet ndaj anijeve tregtare në arterien e tregtisë globale nga rebelët Houthi të Jemenit “përfaqësojnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj tregtisë ndërkombëtare dhe sigurisë detare”.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj sprapsjes së këtyre sulmeve për ta mbrojtur rrjedhjen e lirë të tregtisë globale”- tha ai në një deklaratë.
HMS Diamond has shot down a suspected attack drone targeting merchant shipping in the Red Sea - destroying the target with a Sea Viper missile. pic.twitter.com/x68zX4WtWi
— Rt Hon Grant Shapps MP (@grantshapps) December 16, 2023
Lundrimi global është vënë në shënjestër gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grup që, si rebelët Houthi, përkrahet nga Irani. Rebelët Houthi kanë kryer një varg sulmesh ndaj anijeve në Detin e Kuq, si dhe kanë nisur dronë e raketa me shënjestër Izraelin.
Më herët këtë muaj, tri anije tregtare në Detin e Kuq u goditën nga raketa balistike të hedhura nga zonat e Jemenit që kontrollohen nga rebelët Houthi, ndërsa një luftanije e Shteteve të Bashkuara rrëzoi tre dronë gjatë sulmit, tha ushtria amerikane.
Të premten, kompania më e madhe në botë për lundrime, “Maerks”, u tha të gjitha anijeve që planifikonin të kalonin nëpër Ngushticën Bab el-Mandeb në Detin e Kuq që “t’i pauzojnë udhëtimet e tyre deri në një njoftim tjetër” pas një sulmi me raketë ndaj një anije mallrash me flamur të Liberisë.
Luftanija “HMS Diamond” ishte dërguar në rajon para dy javëve si masë parandaluese, duke u bërë bashkë me anije të tjera nga Shtetet e Bashkuara, Franca e vende të tjera.