Britania thotë se dy aeroplanë rusë “në mënyrë të rrezikshme” penguan një aeroplan spiun të saj
Dy aeroplanë luftarakë rusë “në mënyrë të përsëritur dhe të rrezikshme” penguan një aeroplan spiun të paarmatosur të Forcës Ajrore Mbretërore të Britanisë së Madhe mbi Detin e Zi muajin e kaluar, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.
Një aeroplan rus i tipit “Su-35” iu afrua aeroplanit për zbulim, RC-135, duke iu vendosur aq afër sa iu aktivizuan sistemet emergjente dhe duke e bërë të paoperueshëm sistemin e autopilotimit, raporton televizioni BBC.
Një aeroplan i tipit “S-27” gjithashtu kaloi gjashtë herë përballë aeroplanit britanik, duke u vendosur deri në gjashtë metra afër “hundës” së tij.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, e çoi “profesionalizmin e shquar” të ekuipazhit të aeroplanit britanik gjatë fluturimeve “të papranueshme” ruse, të cilët Ministria e Mbrojtjes i cilësoi si veprimi më i rrezikshëm i forcave ruse që nga viti 2022, kur një pilot kishte shkrepur një raketë drejt një aeroplani britanik mbi Detin e Zi.
Ministria e Mbrojtjes tha se aeroplani ishte duke kryer një fluturim ndërkombëtar rutinor për të ofruar ndihmë në sigurimin e krahut lindor të NATO-s.
Duke i dënuar këto pengime, Healey tha: “Ky incident është një shembull tjetër i sjelljes së rrezikshme dhe të papranueshme nga pilotët rusë, drejt një aeroplani të paarmatosur që po operonte në hapësirë ajrore ndërkombëtare”.
“Këto veprime krijojnë një rrezik serioz për aksidente dhe përshkallëzim të mundshëm. Ky incident nuk do ta frenojë përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen e NATO-s, aleatëve tanë dhe interesave tona nga agresioni rus” – shtoi ai./Nacionale