Britania tashmë mund të jetë në luftë me Rusinë, thotë ish-shefja e inteligjencës britanike
Britania tashmë mund të jetë në luftë me Rusinë për shkak të thellësisë dhe intensitetit të sulmeve kibernetike, sabotimit dhe aktiviteteve të tjera armiqësore të orkestruara nga Moska kundër Mbretërisë së Bashkuar, sipas ish-drejtoreshës së agjencisë britanike MI5 për inteligjencë të brendshme, Eliza Manningham-Buller.
Zonja Manningham-Buller, e cila e kishte udhëhequr agjencinë për inteligjencë të brendshme para dy dekadave, tha se pajtohet me komentet e ekspertes për Rusinë, Fiona Hill, e cila në një intervistë me gazetën “The Guardian” më herët këtë vit tha se Moska ishte në luftë me Perëndimin.
Ish-zyrtarja e lartë e inteligjencës argumentoi se situata ka ndryshuar “që nga pushtimi rus i Ukrainës dhe gjërat e ndryshme për të cilat kam lexuar se rusët po i bëjnë këtu – sabotimi, mbledhja e të dhënave të inteligjencës, sulmet ndaj njerëzve e kështu me radhë”.
Duke folur në një “podcast”, ajo më pas e përmendi zonjën Hill, e cila e ka këshilluar presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë madantit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, dhe është bashkautore e rishikimit të mbrojtjes strategjike të Britanisë.
“Mendoj se ajo mund të ketë të drejtë që ne tashmë jemi në luftë me Rusinë. Është një lloj tjetër i luftës, por armiqësia, sulmet kibernetike, sulmet fizike, puna e inteligjencës është e gjerë” tha Manningham-Buller.
Gjashtë bullgarë që jetojnë në Britani u burgosën këtë vit për rolin e tyre në një rreth spiunimi që kryente vëzhgime armiqësore në pjesë të ndryshme të Evropës, ndërsa pesë burra u dënuan për përfshirjen e tyre në një sulm me zjarrvënie të urdhëruar nga Moska në një depo ku kishte dërgesa të destinuara për Ukrainën.
Pat McFadden, atëherë ministër në Zyrën e Kabinetit, tha vitin e kaluar se Rusia i kishte shtuar sulmet kibernetike ndaj Britanisë. Hakerët kanë vënë në shënjestër një varg biznesesh britanike. Përderisa burimi i sulmeve mund të marrë kohë për t’u zbuluar, shumë prej tyre dyshohet se e kishin prejardhjen nga Rusia./Nacionale