Britania “s’sheh prova” se Putini është i interesuar për paqe të negociuar në Ukrainë
Richard Moore, drejtor i agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme, MI6, tha të premten se ai “nuk sheh prova” se presidenti rus, Vladimir Putin, ka ndonjë interesim për paqe të negociuar që nuk do ta përfshinte kapitullimin e Ukrainës.
Në një fjalim që e mbajti në Stamboll për t’i njoftuar planet për përdorimin e rrjetit të zi për rekrutimin e informatorëve dhe për të marrë informacione sekrete nga agjentët në Rusi e në mbarë botën, Moore gjithashtu tha se Putini “ka kafshuar më shumë sesa që mund të përtypë dhe se presidenti rus i ka nënvlerësuar ukrainasit në luftë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencia MI6 do ta hapë portalin e vet në rrjetin e zi në internet me shpresë se do të tërheqë spiunë të rinj përmes internetit, kryesisht nga Rusia, sipas televizionit BBC.
Me platformën e sigurt të mesazheve, “Silent Courier”, synohet që të fuqizohet siguria kombëtare duke ia lehtësuar rekrutimin e agjentëve agjencisë së inteligjencës, tha Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Para njoftimit të së premtes për portalin e ri, sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, tha: “Siguria kombëtare është detyrë e parë e secilës qeveri dhe themel i Planit për Ndryshim të kryeministrit.”
“Përderisa bota ndryshon dhe kërcënimet me të cilat ne ballafaqohemi shtohen, duhet të sigurohemi që Britania është gjithmonë një hap para armiqve tanë” – shtoi ajo.
“Agjencitë tona të klasit botëror të inteligjencës janë në ballë të kësaj sfide, duke punuar në prapaskenë për ta mbajtur të sigurt popullin Britania” – tha më tej zyrtarja e lartë.
Kushdo që dëshiron të kontaktojë në mënyrë sekrete me Britaninë e Madhe dhe që ka të dhëna të ndjeshme në lidhje me terrorizmin ose aktivitetin armiqësor të inteligjencës, do të mund të ketë qasje në portalin e ri nga e premtja.
Udhëzimet për përdorimin e këtij portali do të jenë të qasshme publikisht në kanalin e verifikuar të agjencisë MI6 në rrjetin “YouTube”./Nacionale