Britania pritet të dërgojë në Ukrainë automjete të blinduara raketahedhëse "Stormer"
Gazeta britanike, “The Sun”, ka raportuar se Britania e Madhe pritet që së shpejti të dërgojë në Ukrainë automjete të blinduara raketahedhëse, pasi Rusia të hënën e nisi ofensivën për ta marrë nën kontroll pjesën lindore të Ukrainës.
Sipas kësaj gazete, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar i demonstroi automjetet raketahedhëse “Stormer HVM” për ukrainasit para dy javëve dhe se këto automjete 13-tonëshe mund të dërgohen përmes transportit ajror, me aeroplanët transportues të tipit “C-17”.
Automjetet raketahedhëse “Stormer” prodhohen nga kompania “BAE Systems, nevojiten vetëm tre persona për të operuar me to dhe këto automjete hedhin raketa të tipit “Starstreak”, që mund të përdoren për rrëzimin e aeroplanëve e helikopterëve që fluturojnë në lartësi të vogël.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një pjesë e konsiderueshme e tërë ushtrisë ruse është përqendruar në ofensivën në Donbas, ku separatistët e përkrahur nga Rusia kanë shpallur dy republika të pavarur, pavarësinë e të cilave e ka njohur Moska.
Zelensky u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që ta furnizojnë Ukrainën me më shumë armë për t’i bërë ballë Rusisë. Më 7 prill, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se është duke shikuar se çfarë asistence ushtarake shtesë mund të dhurojë vendi i tij.
Në të njëjtën datë, sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, tha se Mbretëria e Bashkuar është duke e shtuar furnizimin me armë, kur mori pjesë në takimin me homologët e saj të vendeve të NATO-s në Bruksel për t’i dëgjuar kërkesat e Ukrainës.