Britania përfshihet nga acari, temperatura bie në -13 gradë - NACIONALE

Britania përfshihet nga acari, temperatura bie në -13 gradë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Temperatura në Britani gjatë natës ra në -13 gradë, duke e shënuar natën më të ftohtë të këtij dimri, përderisa valët e ajrit nga Arktiku po vazhdojnë të lëvizin mbi territorin e vendit.

Parashikuesit e motit kishin paralajmëruar të martën në mbrëmje se kjo mund të ishte nata më e ftohtë e janarit në 14 vitet e fundit, raporton televizioni BBC.

Moti i lig dhe reshjet e konsiderueshme të borës tashmë kanë detyruar disa shkolla që të mbyllen në Skoci dhe në veri të Anglisë si dhe kanë shkaktuar pengesa në trafik.

Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime me ngjyrë të verdhë për akull e borë në tërë territorin e Mbretërisë së Bashkuar: Angli, Skoci, Uells dhe Irlandë e Veriut.

Moti i ashpër pritet të bëhet më i ngrohtë nga fundi i javës, por në fundjavë mund të ketë stuhi. Deri në fund të së premtes, mbi 40 centimetra borë mund të bien në zonat e larta të Skocisë veriperëndimore, sipas parashikimit të Zyrës Meteorologjike.

Bora, sqota dhe shiu pritet që të vazhdojnë në pjesët veriore të Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse priten edhe rreze dielli.

Temperatura prej -13 gradësh u regjistrua në matjet e përkohshme nga Zyra Meteorologjike në rajonin Glen Ogle të Skocisë qendrore.

Parashikuesit e motit thanë të martën se temperatura gjatë natës në pjesët e mbuluara me borë të Skocisë mund të binte deri në -15 gradë, që do ta bënte natën më të ftohtë të janarit që nga viti 2010.

Temperatura më e ulët këtë dimër në Britani deri më tani ishte -12,5 gradë, në Altnaharra, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar. Në janarin e vitit 2010, në Skoci temperatura kishte rënë në -22,3 gradë.

Lajme të ngjashme