Britania kundër ofensivës së re izraelite në Gaza: Do të sjellë veç më shumë gjakderdhje - NACIONALE

Britania kundër ofensivës së re izraelite në Gaza: Do të sjellë veç më shumë gjakderdhje

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha të premten se vendimi i Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën është i gabuar dhe i bëri thirrje Qeverisë që ta rishqyrtojë këtë masë.

Në një deklaratë, kryeministri britanik tha: “Vendimi i qeverisë izraelite për ta përshkallëzuar më tej ofensivën e saj në Gaza është i gabuar dhe ne i bëjmë thirrje që ta rishqyrtojë atë menjëherë. Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund konfliktit ose për ta ndihmuar sigurimin e lirimit të pengjeve. Ai vetëm do të sjellë më shumë gjakderdhje”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Për çdo ditë, kriza humanitare në Gaza përkeqësohet dhe pengjet e marra nga Hamasi po mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore. Çfarë na duhet është një armëpushim, shtim i ndihmave humanitare, lirimi i të gjitha pengjeve nga Hamasi dhe një zgjidhje e negociuar. Hamasi nuk mund të ketë pjesë në të ardhmen e Gazës dhe duhet të largohet e të çarmatoset” – shtoi laburisti Starmer.

“Së bashku me aleatët tanë, ne jemi duke punuar në një plan afatgjatë për ta siguruar paqen në rajon si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete dhe që përfundimisht të arrihet një e ardhme më e ndritshme për palestinezët e izraelitët” – thuhet më tej në deklaratën e kryeministrit britanik.

Megjithatë, ai paralajmëroi se “pa angazhimin e të dyja palëve në mirëbesim në bisedime, kjo perspektivë po shuhet para syve tanë”.

“Porosia jonë është e qartë: një zgjidhje diplomatike është e mundshme, por të dyja palët duhet të tërhiqen nga rruga e shkatërrimit” – tha Keir Starmer.

Kryeministri britanik para disa ditëve paralajmëroi se vendi i tij do të njohë një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator, nëse Izraeli nuk plotëson disa kushte për zgjidhjen e konfliktit në Gaza.

Paralajmërimin e njëjtë për njohje të Palestinës e kanë bërë edhe Franca e Kanadaja./Nacionale

Lajme të ngjashme