Britania i lehtëson vizat për punëtorët e ndërtimtarisë shkaku i mungesës - NACIONALE

Britania i lehtëson vizat për punëtorët e ndërtimtarisë shkaku i mungesës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Muratorët, suvatuesit dhe disa profesione të tjera të ndërtimtarisë janë shtuar në listën e qeverisë britanike për punëtorë në mungesë, duke ua bërë më të lehtë punëtorëve të huaj shkuarjen në Britani për shkak të mungesës së fuqisë punëtorë në sektorë të caktuar, që është shkaktuar nga largimi i vendit nga BE-ja.

Qeveria britanike i ka lehtësuar rregullat për sigurimin e vizës për punëtorët e disa sektorëve që ballafaqohen me mungesë të madhe punëtorësh dhe në këtë listë i ka shtuar muratorët, mjeshtrit e kulmeve, zdrukthëtarët, suvatuesit dhe disa profesione të tjera të ndërtimtarisë. Në listë janë shtuar edhe profesionet që lidhen me peshkatarinë, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyra e Brendshme tha se kjo “do ta ndihmojë ofrimin e infrastrukturës kombëtare kyçe dhe do ta stimulojë rritjen për industritë e ndërlidhura”.

Ata që punojnë në profesionet ku ka mungesë punëtorësh mund të paguhen deri në 80 për qind të shkallës aktuale të pagave dhe prapë mund të sigurojnë vizë të punëtorëve të kualifikuar dhe të përfitojnë nga tarifa më e ulët për aplikim. Megjithatë, aplikuesit duhet të kenë një ofertë të sponsorizuar për vend pune dhe duhet t’i plotësojnë kushtet për njohjen e gjuhës angleze.

Komisioni i pavarur këshillues për migrim kishte rekomanduar në mars që punëtorët e ndërtimtarisë të futeshin në listën e punëtorëve në mungesë. Në këtë listë tashmë përfshihen punëtorët e kujdesit, inxhinierët, dizajnerët e uebfaqeve dhe teknikët e laboratorit, përfshirë punët në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Kjo masë u mundëson punëdhënësve që të rekrutojnë staf nga vendet e huaja me paga duke filluar nga 14.880 funte në vit për punëtorët e kujdesit, ndërsa nga 15.120 funte për teknikët e laboratorit.

Pas këtij vendimi, kryeministri Rishi Sunak ballafaqohet me kundërshtim nga deputetët e partisë së tij, pasi kishte premtuar se do ta zvogëlonte numrin e imigrantëve. Qeveritë konservatore kanë premtuar nga viti 2010 e do ta ulnin numrin e imigrantëve.

Numri i përgjithshëm i imigrantëve në Britani vitin e kaluar shënoi rekord prej 606 mijë njerëzish, 24 për qind më shumë se më 2021, ndërsa edhe numri i azilkërkuesve është në nivel rekord.

Industria e ndërtimit në Britani është ballafaquar për një kohë të gjatë me mungesë të punëtorëve, por largimi i vendit nga Bashkimi Evropian e ka përkeqësuar gjendjen, sepse shtetasit e vendeve të BE-së nuk mund të punojnë më në Britani pa viza, siç mundnin më parë. Shumë punëtorë të vendeve të BE-së ishin kthyer në atdhe gjatë pandemisë së koronavirusit.

Lajme të ngjashme