Britania i largon familjarët e stafit të ambasadës së saj nga Izraeli
Britania i ka tërhequr familjet e stafit të ambasadës së saj në Izrael për shkak të eskalimit të luftimeve mes forcave izraelite dhe Hezbollahut dhe rrezikut për një konflikt më të gjerë rajonal.
Vendimi vjen pas dërgimi të trupave izraelite në jug të Libanit, vrasjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe një sulm raketor iranian ndaj Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
“Si masë parandaluese pas eskalimit në rajon, anëtarë të familjeve të stafit të ambasadës britanike janë tërhequr përkohësisht. Anëtarët tonë të stafit mbeten” – thuhet në uebfaqen këshilluese të Zyrës së Jashtme për udhëtime në Izrael.
Të hënën herët, disa raketa të Hezbollahut e goditën qytetin e tretë më të madh izraelit, Haifa, përderisa vendi duket i vendosur për ta zgjeruar operacionin tokësor në Liban.
Britania i këshillon qytetarët kundër të gjitha udhëtimeve në zonën afër kufirit me Gazën dhe “të gjitha udhëtimet pos thelbësoreve” në pjesë të tjera të Izraelit dhe në Territoret e Pushtuara Palestineze për shkak të konfliktit njëvjeçar mes Izraelit e Hamasit.
Megjithatë, qytetarëve britanikë që jetojnë në Izrael nuk u është thënë që të largohen nga vendi. Në vend të kësaj mase, atyre po u thuhet që asistenca konsullore është “e kufizuar rëndë”.
“Ne pranojmë që kjo është situatë që po lëviz shpejt dhe që paraqet rreziqe domethënëse. Ne ju inkurajojmë fuqishëm që të kontrolloni nëse ju dhe vartësit tuaj e kanë dokumentacionin e kërkuar për të udhëtuar në rast të njoftimit të shkurtër” – thuhet në këshillë./Nacionale