Britania e autorizon ushtrinë që t’i ndalojë anijet e naftës të flotës ruse në hije
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha të enjten se e ka autorizuar ushtrinë që të ndalojë anije ruse në ujërat britanike dhe të hipë në to për të penguar një rrjet anijesh që, sipas qeverisë së tij, i mundësojnë Moskës që të eksportojë naftë pavarësisht sanksioneve perëndimore.
Vendimi vjen kur edhe shtete të tjera evropiane, përfshirë Francën, Belgjikën dhe Suedinë, i kanë shtuar përpjekjet për t’i ndaluar anijet transportuese të naftës të së ashtuquajturës flotë në hije që përdoret nga Rusia për ta financuar luftën e saj 4-vjeçare kundër Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Starmeri tha se ai e miratoi këtë masë më agresive kundër anijeve, sepse presidenti rus, Vladimir Putin, me gjasë “është duke i fërkuar duart” pas rritjes së madhe të çmimeve të naftës, e nxitur nga lufta amerikano-izraelite kundër Iranit.
“Për këtë arsye, sipas mendimit tim të fortë, ne duhet t’i vihemi pas edhe më fort flotës në hije” – tha Starmeri të enjten në një takim në Helsinki. “Së bashku, ne duhet t’i mbyllim rrugët kritike detare për këtë tregti jetike që të vazhdohet presioni ndaj Putinit” – shtoi ai.
Britania u ofroi mbështetje logjistike dhe të dhëna të inteligjencës këtë vit ushtrive të Francës dhe ShBA-së që ndaluan anije ruse. Megjithatë, njoftimi i Starmerit e shënon herën e parë që forcat britanike autorizohen për të hipur në anije ruse.
Qeveria dhe ushtria britanike si dhe zyrtarë të sundimit të ligjit kanë qenë duke u përgatitur për të hipur në anije ruse, nëse ato nuk dorëzohen, janë të armatosura ose që përdorin vëzhgim me teknologji të lartë për t’iu shmangur kapjes.
Porsa ushtarët të hipin në këto anije, qeveria britanike tha se procedura penale mund të nisen kundër pronarëve, operatorëve dhe ekuipazhit për shkeljen e legjislacionit të sanksioneve./Nacionale