Britania do t’i dhurojë Ukrainës 650 raketa të mbrojtjes ajrore - NACIONALE

Britania do t’i dhurojë Ukrainës 650 raketa të mbrojtjes ajrore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria britanike njoftoi të premten se do t’i dhurojë Ukrainës 650 raketa të lehta e me shumë funksione, që e kanë vlerën e 213 milionë dollarëve, për ta ndihmuar Kievin që të mbrohet nga dronët dhe bombardimet ruse.

Rusia javën e kaluar e kreu sulmin më të madh ajror ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Ukraina ka bërë kërkesa të përsëritura për më shumë përkrahje rreth mbrojtjes ajrore për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa e dronë, raporton agjencia “Reuters”.

Dërgesa e re e raketave u njoftua përderisa ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, mori pjesë në Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, koalicion ad-hoc i rreth 50 shteteve, në një bazë ajrore amerikane në Gjermani.

Ministria e Mbrojtjes tha se, duke e respektuar zotimin e ri të Qeverisë për përshpejtimin e dërgimit të ndihmave në Ukrainë, dërgesa e parë e raketave të njoftuara të premten pritej që të arrinin në fund të këtij viti.

“Ky zotim i ri do t’i japë një shtytje të rëndësishme mbrojtjes ajrore të Ukrainës” – tha Healey në një deklaratë.

Ministria e Mbrojtjes tha se raketat e prodhuara nga kompania “Thales” kanë rreze prej më shumë se gjashtë kilometrash dhe mund të hidhen nga disa platforma në tokë, det ose ajër.

Të hënën e kaluar, Rusia hodhi më shumë se 200 raketa e dronë drejt Ukrainës, duke vrarë shtatë njerëz e duke goditur objekte energjetike në mbarë vendin. Kievi e quajti këtë “sulmi më masiv”./Nacionale

Lajme të ngjashme