Britani: Sunaku dhe Starmeri përplasen rreth taksave në debatin e parë - NACIONALE

Britani: Sunaku dhe Starmeri përplasen rreth taksave në debatin e parë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, dhe rivali i tij nga Partia Laburiste, kryeopozitari Keir Starmer, të martën u ballafaquan në debatin e parë televiziv të zgjedhjeve të përgjithshme. Ata zhvilluan diskutime të tensionuara për taksat, sistemin publik shëndetësor dhe emigrantët.

Dy politikanët kohë pas kohe shkaktonin tollovi në diskutim, duke e detyruar udhëheqësen e debatit që të ndërhynte dhe t’u bënte thirrje që “ta ulin zërin”, raporton televizioni BBC.

Sunaku tha se laburistët duan që t’i rrisin taksat për dy mijë funte, pretendim që Starmeri e quajti “mbeturinë absolute”.

Të dy udhëheqësit e shfrytëzuan rastin që t’i tregojnë rrëfimet e tyre personale, duke folur se si përvojat e tyre të fëmijërisë ua kishin formësuar pikëpamjet politike.

Sunaku ishte i furishëm që nga fillimi i debatit, duke e kritikuar Starmerin rreth politikës së taksave dhe duke ua marrë shpesh fjalën kundërshtarit dhe gazetares Julie Etchingham.

Temat e debatit u përcollën edhe me pyetje nga audienca. E para erdhi nga Paula nga Huddersfield-i. Ajo tha se kishte vështirësi për t’i paguar energjinë dhe ushqimin dhe se i kishte shfrytëzuar të gjitha kursimet.

Sunaku këmbënguli se plani i tij për ta rritur ekonominë po fillonte që të funksiononte dhe se laburistët do të paguanin për planet e veta të shpenzimit me “dy mijë funte nga taksat më të larta për secilën familje punëtorë në vendin tonë”.

“Laburistët do t’i rrisin taksat tuaja – është në ADN-në e tyre. Puna juaj, automjeti juaj, pensioni juaj – laburistët do t’u vendosin taksa atyre” – tha kryeministri britanik.

Në anën tjetër, Starmeri sugjeronte se kundërshtari i tij është jashtë realitetit dhe po jeton në një “botë tjetër”.

Ai mundohej që të ndërtonte një kontrast mes të kaluarës së tij dhe të kryeministrit, duke folur për “ankthin” që e kishte, pasi telefoni i shtëpisë i ishte ndërprerë për shkak të një fature ta papaguar.

Kur u pyetën nëse do të kishin një person të dashur në listë të gjatë të pritjes për operim, a do ta përdornin sektorin shëndetësor privat, nëse do t’u dukej se kjo do të ishte rruga e vetme, Sunaku u përgjigj pozitivisht, ndërsa Starmeri negativisht./Nacionale

Lajme të ngjashme