Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë - NACIONALE

Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se anëtarët e aleancës po mobilizojnë mbështetjen për të ndihmuar Turqinë pas tërmetit shkatërrues.

Komisioni Evropian ka njoftuar se me kërkesë të Turqisë, pas tërmetit të rëndë që ka goditur vendin, ka aktivizuar mekanizmat emergjentë të unionit për mbrojtje civile.

Rusia tha se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë.

“Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky.

Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen të shpëtimit premtoi Polonia, por edhe India.

Greqia tha se po mobilizon burimet e ndihmës që do të dërgohen shpejt në Turqi, ndërkaq Spanja pohoi se ekipet urbane të shpëtimit janë të gatshme të dërgohen menjëherë në zonat ku ka nevojë.

Izraeli tha se autoritetet janë duke bërë përgatitjet për të ofruar ndihmë mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit, ndërkaq Tajvani ka ofruar një ekip prej 130 zjarrfikësish, por edhe të qenve kërkues dhe 13 tonë ndihma për Turqinë.

Edhe Kosova është shprehur e gatshme që të ofrojë mbështetje dhe ndihmë për Turqinë. /REL

Lajme të ngjashme