Borrelli thotë se Izraeli s’ka justifikime për ta refuzuar armëpushimin me Hezbollahun
Kryediplomati i Bashkimit Evropian tha të martën se Izraeli nuk ka justifikime për ta refuzuar pranimin e një armëpushimi me grupin militant libanez, Hezbollah, duke thënë se të gjitha shqetësimet e sigurisë të këtij shteti janë adresuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga ShBA-ja dhe Franca.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, që ka edhe pak javë në këtë pozitë, bëri thirrje për presion të shtuar ndaj Izraelit që t’i topitë ekstremistët në kabinetin qeveritar që po e refuzojnë marrëveshjen. Duke folur në margjinat e takimit të Grupit G7 në Itali, Borrelli paralajmëroi se “Libani do të shpërbëhet”, nëse nuk zbatohet një armëpushim, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Zyrtarët izraelitë thanë se kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu pritej të mblidhej të martën për të diskutuar rreth një armëpushimi të propozuar. Në mesin e çështjeve të pazgjidhura mbetet kërkesa e Izraelit për ta rezervuar të drejtën që të veprojë, nëse Hezbollahu i shkel detyrimet e veta sipas marrëveshjes.
Borrelli tha se sipas paktit të propozuar, Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin një komision për zbatimin e armëpushimit, ndërsa Franca do të marrë pjesë me kërkesën e Libanit.
“Në marrëveshjen e propozuar, të ndërmjetësuar nga ShBA-ja dhe Franca, Izraeli i ka të gjitha shqetësimet e sigurisë [të adresuara]. Nuk ka justifikim për të mos e zbatuar armëpushimin. Në të kundërtën, Libani do të shpërbëhet” – tha Borrelli para gazetarëve në Fiuggi të Italisë.
Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit G7 të hënën në Itali u mbizotërua nga luftërat në Gaza dhe Liban. Atyre iu bashkuan edhe homologët nga pesëshja arabe: Arabia Saudite, Jordania, Egjipti, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.