Borrelli thotë se furnizimi i Ukrainës më municion duhet të përshpejtohet
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se furnizimi i Ukrainës me municion duhet të shtohet në ditët e ardhshme.
“Më shumë se një mijë raketa janë ofruar. Niveli i municionit është duke u rritur dhe duhet të rritet më shpejt në ditët e ardhshme”- tha ai pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, raporton televizioni CNN.
Zyrtari i lartë evropian tha se në Ukrainë duhet të arrihet paqe e drejtë, por, deri atëherë, BE-ja do ta vazhdojë ofrimin e përkrahjes për mbrojtjen e Ukrainës. Deri më tani, BE-ja ka ofruar rreth 14 miliardë dollarë përkrahje ushtarake dhe është duke vazhduar që ta përmbushë premtimin për një milion pjesë municioni, shtoi ai.
Grupi i dytë i një miliard dollarëve për blerje municioni nga shtetet e BE-së është duke u finalizuar, tha Borrelli, duke shtuar: “Ka pasur ca mosmarrëveshje, por puna vazhdon. Nuk do të presim që dokumenti ligjor të kompletohet për ta nisur punën.”
Ai tha, gjithashtu, se Bashkimi Evropian është duke kontaktuar me shtete jashtë bllokuar për ta përforcuar efektin e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.
Ndërkohë ushtria ukrainase raportoi të hënën se forcat ruse kryen 47 sulme ajrore për një ditë, ndërsa mbi 30 sulme tokësore janë zmbrapsur.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se në sektorin e qytetit Bakhmut, rusët po i përdorin ato që ajo i quajti taktika siriane të shkatërrimit të plotë të ndërtesave dhe objekteve.
Sidoqoftë, ajo përmendi një rënie të numrit të sulmeve ruse në një zonë të vijës së frontit që ka qenë shumë aktive qe disa muaj – afër qytezës së kontrolluar nga ukrainasit, Lyman.
