Borë e madhe në Bavari të Gjermanisë, anulohen fluturimet në Mynih
Reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar pengesa të konsiderueshme në shtetin juglindor të Gjermanisë, Bavari. Fluturimet në aeroportin e Mynihut janë pezulluar.
Gazeta e njohur gjermane, “Bild”, raporton se reshjet kanë shkaktuar pengesa edhe në transportin hekurudhor. Autoritetet hekurudhore njoftuan të shtunën në mëngjes se linjat me largësi të madhe janë ndërprerë në rajonin e gjerë të Mynihut.
Në aeroportin e Mynihut, rreth 320 fluturime, nga 760 të planifikuara, u anuluan deri më tani të shtunën. Pasagjerët këshillohen që ta kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre para udhëtimit për në aeroport.
Policia gjermane në Mynih u ka bërë thirrje qytetarëve që ta shmangin daljen me automjete. Qytetarët duhet që “urgjentisht t’i shmangin udhëtimet e panevojshme” dhe të vozisin vetëm “nëse është e pashmangshme”, tha një zëdhënës i policisë të shtunën në mëngjes.
Për shkak të borës së madhe, gjendja në trafik thuhet se është “tepër sfiduese” dhe se shërbimet për pastrimin e rrugëve janë në krye të detyrës. Edhe këmbësorëve u është bërë thirrje për vëmendje për shkak të mundësisë për rrëzimin e objekteve si degët e drurëve ose bora nga kulmet e ndërtesave.
Ndeshja e futbollit mes Bayern Mynihut dhe Union Berlinit është anuluar për shkak të reshjeve të dendura të borës.
Deri në dhjetë centimetra reshje të reja bore parashikohen edhe për rajonet veriore, Hamburg e Schleswig-Holstein. Paralajmërohet për sipërfaqe të rrëshqitshme në disa zona, sepse temperaturat do të jenë afër pikës së ngrirjes.