Bora shkakton kolona të gjata në autostradat e Gjermanisë
Reshjet e dendura të borës dhe temperaturat e ulëta e penguan për ditën e dytë radhazi të enjten transportin ajror, rrugor e hekurudhor në mbarë Gjermaninë.
Sipas gazetës gjermane, “Bild”, janë formuar 36 kilometra kolona dhe moti dimëror shkaktoi pengesa masive në trafik në autostradat A4, A5 dhe A7 të enjten në mëngjes.
Në aeroportin e Frankfurtit, që është më i madhi në Gjermani, mbi 300 nga gati 1.000 fluturimet e planifikuara u anuluan në mëngjes, sipas një zëdhënësi, raporton agjencia “Reuters”.
Operatori gjerman i hekurudhave, “Deutsche Bahn”, tha se lëvizja e trenave nga Parisi dhe për në Paris është anuluar përsëri, ndërsa mund të ketë pengesa edhe në linja të tjera për shkak të motit.
Në pjesën qendrore të Gjermanisë u formuan kolona në autostrada, sipas policisë, e cila tha se pastrimi i rrugëve do të marrë disa orë dhe kërkoi nga drejtuesit e automjeteve që t’i shmangin udhëtimet e panevojshme.
Sipas mediave lokale, drejtuesve të automjeteve që mbetën për disa orë të ngujuar në kolonën e gjatë disa kilometra të mërkurën vonë iu ofruan pije të ngrohta e batanije nga Kryqi i Kuq.
Shërbimi gjerman i motit paralajmëroi për më shumë reshje bore gjatë ditës. Për disa pjesë të Gjermanisë jugore u parashikuan reshje deri në 15 centimetra.