Bombarduesit më të avancuar të Kinës shihen në ishullin e kontestuar në Detin Jugor të Kinës - NACIONALE

Bombarduesit më të avancuar të Kinës shihen në ishullin e kontestuar në Detin Jugor të Kinës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa pamje të reja satelitore tregojnë se Kina ka vendosur dy prej aeroplanëve më të avancuar bombardues të saj në ishujt e kontestuar Paracel në Detin Jugor të Kinës këtë muaj – veprim që disa analistë e përshkruan si sinjalin më të ri të Pekinit për kapacitetet ushtarake në rritje para rivalëve.

Ky dislokim e shënon herën e parë që bombarduesit me rreze të gjatë, H-6, kanë aterruar në Ishullin Woody në Paracele që nga viti 2020 dhe lëvizja e aeroplanëve tashmë të modernizuar vjen në kohën e tensioneve me Filipinet, operacioneve afër Tajvanit dhe para forumit më të madh rajonal të mbrojtjes këtë fundjavë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet ta hapë forumin treditor të mbrojtjes, “Dialogu Shangri-La”, në Singapor me një fjalim të premten, ndërsa sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, do ta paraqesë qasjen e administratës së presidentit Donald Trump ndaj rajonit të shtunën.

Një aeroplanmbajtëse britanike pritet të arrijë në Detin Jugor të Kinës në një dislokim të rrallë muajin e ardhshëm, thonë diplomatët.

Satelitët kapën në pamje dy aeroplanë të tipit H-6 duke fluturuar mbi cekëtinën shumë të kontestuar Scarborough, e cila gjithashtu ndodhet në Detin Jugor të Kinës, pak para vizitës së sekretarit Hegseth në Filipine në fund të marsit, kur ai e ripohoi “përkrahjen e hekurt” të Shteteve të Bashkuara për shtetin mik aziatik.

Diplomatët dhe analistët rajonalë thonë se dislokimi i aeroplanëve H-6 analizohet për së afërmi, duke marrë parasysh se ata janë modernizuar për të bartur raketa kundër anijeve dhe raketave me drejtim për sulme tokësore, ndërsa disa aeroplanë mund të kryejnë edhe sulme me raketa balistike.

As Ministria e Mbrojtjes e Kinës, as Këshilli Kombëtar i Sigurisë Detare i Filipineve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment./Nacionale

Lajme të ngjashme