Boltoni thotë se kërcënimi i Trumpit për largim nga NATO-ja duhet të merret shumë seriozisht - NACIONALE

Boltoni thotë se kërcënimi i Trumpit për largim nga NATO-ja duhet të merret shumë seriozisht

1 vit më parë

nga NACIONALE

John Bolton, ish-këshilltar për siguri kombëtare i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, në mandatin e tij të parë, ka thënë se njerëzit duhet ta marrin shumë seriozisht kërcënimin e kreut të ri të Shtëpisë së Bardhë për ta tërhequr ShBA-në nga NATO-ja.

Boltoni tha se Trumpi nuk i beson NATO-s dhe nuk e kupton parimin e një aleance të mbrojtjes. Pavarësisht nga prirja e Trumpit për retorikë të hiperbolizuar, ai vlerëson se njerëzit duhet ta marrin seriozisht kërcënimin për tërheqje nga aleanca veriatlantike.

“Ai në thelb mendon se ne [amerikanët] jemi duke e mbrojtur Evropën, ne nuk marrin asgjë prej kësaj. Ata nuk po paguajnë asgjë. Çfarë ka për ne në këtë? Është pikëpamja e njëjtë që ai e ka me aleancat tona me Korenë e Jugut dhe me Japoninë. Unë jam i brengosur për këtë” – tha ish-zyrtari i lartë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Tani, evropianët dhe shumë të tjerë thonë “por ne jemi afër ndarjes së 2 për qind të GDP-së sonë në fushën e mbrojtjes – për të cilën ne u zotuam, meqë ra fjala, dhjetë vjet më parë në një samit të NATO-s dhe të cilën shumë ende nuk e kanë arritur. Unë mendoj që ShBA-ja do të duhet që t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes në diçka afër nivelit të epokës së Reaganit (4/5 për qind). Kjo do të thotë se Evropa do të duhet që të shkojë deri në 3 për qind” – shtoi ai.

Më tutje, Boltoni u pyet për dy pretendimet e Trumpit: se nuk kishte luftëra të profilit të lartë gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë nga viti 2016 deri më 2020 dhe se ai mund t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve, kur të rikthehet në pushtet muajin e ardhshëm.

“Trumpi është duke ekzagjeruar. Ai po e thotë të vërtetën në kuptimin që ne ishim në një periudhë më të qetë të historisë dhe se tani kemi parë se çfarë mund të ndodhë, pjesërisht për shkak të dobësive të treguara nga Bideni gjatë tërheqjes nga Afganistani dhe dështimi madje edhe për të provuar që të frenohen rusët para se ata ta pushtonin Ukrainën” – tha Boltoni në televizionin “Sky News”.

Sa i përket asaj që mund ta bëjë Trumpi në mandatin e dytë, Boltoni, që ishte këshilltar për siguri kombëtare i presidentit nga prilli i vitit 2018 deri në shtatorin e vitit 2019, shtoi: “Ai ka thënë se do t’i bëjë bashkë në një dhomë Zelenskyn dhe Putinin dhe se ata do ta zgjidhin Ukrainën për 24 orë – paçin fat për këtë”, duke lënë të nënkuptohej se ai nuk e sheh lehtë të realizueshëm këtë premtim./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme