Blinkeni pas ndryshimeve të propozuara nga Hamasi për armëpushim: Lufta do të vazhdojë - NACIONALE

Blinkeni pas ndryshimeve të propozuara nga Hamasi për armëpushim: Lufta do të vazhdojë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të mërkurën se lufta në Gaza do të vazhdojë, pasi Hamasi propozoi “shumë” ndryshime ndaj një plani për armëpushim që është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, disa ndryshime janë të zbatueshme, e disa të tjera jo.

Kryediplomati amerikan nuk i saktësoi ndryshimet e propozuara nga Hamasi. Sidoqoftë, duke folur para gazetarëve në Katar, Blinkeni tha se ShBA-ja dhe ndërmjetësit e tjerë do t’i vazhdojnë përpjekjet që “ta mbyllin këtë marrëveshje”, raporton agjencia “Associated Press”.

“Hamasi do të mund të përgjigjej me një fjalë të vetme: po. Në vend të kësaj, Hamasi priti për gati dy javë dhe kërkoi shumë ndryshime. Koha për vendim është tash. Sa më gjatë që shkon kjo, aq më shumë do të vuajnë njerëzit” – tha ai.

Blinkeni ndodhet në rajon për t’i shtyrë palët drejt arritjes së marrëveshjes për planin me mbështetje globale që nuk është pranuar plotësisht as nga Izraeli, as nga Hamasi. Grupi militant e dorëzoi përgjigjen e parë zyrtare të martën vonë, duke kërkuar “amendamente” në pakt.

Zëdhënësi i Hamasit, Jihad Taha, i tha mediave libaneze që “amendamentet” e kërkuara nga grupi përfshijnë garanci për një armëpushim të përhershëm dhe për tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Propozimi kishte sjellë shpresë për t’i dhënë fund konfliktit që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 37 mijë palestinezë nga bombardimet izraelite dhe ofensiva tokësore e Izraelit, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Lajme të ngjashme