Blinkeni drejt Egjiptit, për herë të parë nga nisja e luftës s’shkon në Izrael - NACIONALE

Blinkeni drejt Egjiptit, për herë të parë nga nisja e luftës s’shkon në Izrael

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, do ta vizitojë përsëri Egjiptin të mërkurën, por vizitës së tij në rajon i mungon në mënyrë të dukshme shkuarja në Izrael, në kohën kur janë shtuar dyshimet nëse mund të arrihet armëpushimi para se presidenti Joe Biden të largohet nga pushteti.

Kjo është hera e parë që nga sulmet e 7 tetorit që kryediplomati amerikan e viziton Lindjen e Mesme pa shkuar në Izrael. Zyrtari i lartë amerikan zakonisht i shfrytëzon vizitat në Izrael për ta shtyrë Qeverinë rreth çështjeve kritike për luftën, përfshirë arritjen e një pakti për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve. Sidoqoftë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, shpesh ka dalë kundër qëndrimeve të administratës amerikane disa orë ose ditë pas takimeve, raporton televizioni CNN.

Në kohën e vizitës së fundit të Blinkenit në gusht, zyrtarët amerikanë po paraqisnin optimizëm publik se mund të ishin afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi. Tani, ai optimizëm publik për një zgjidhje të shpejtë kryesisht është venitur.

Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë se Blinkeni “do të takohet me zyrtarë egjiptianë për të diskutuar rreth përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur një armëpushim në Gaza që e siguron lirimin e të gjitha pengjeve, që e lehtëson vuajtjen e popullit palestinez dhe që vendos siguri më të gjerë rajonale”.

Ai gjithashtu “do ta bashkudhëheqë hapjen e Dialogut Strategjik ShBA – Egjipt me ministrin e Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty”, thuhet më tej në deklaratë, duke u theksuar se “dialogu strategjik synon që ta fuqizojë marrëdhënien dypalëshe dhe ta thellojë zhvillimin ekonomik, si dhe t’i rrisë lidhjet mes njerëzve përmes kulturës dhe arsimit”.

Egjipti është lojtar kritik në përpjekjet e vazhdueshme për të arritur një propozim për shuarjen e dallimeve mes palëve, por ka pak gjasa që udhëtimi i Blinkenit të prodhojë ndonjë përparim të madh drejt marrëveshjes që në fund varet nga vullneti politik i dy burrave: Netanyahut dhe udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar. Ka skepticizëm rreth gatishmërisë së tyre për të arritur një pakt.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha të hënën se marrëveshja varet përfundimisht nga vullneti politik./Nacionale

Lajme të ngjashme