Blaise Metreweli – Gruaja e parë në krye të MI6, agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme
Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi të dielën se Blaise Metreweli do të jetë drejtoresha e ardhshme e agjencisë britanike për inteligjencë të jashtme, MI6, njëkohësisht gruaja e parë që do ta mbajë këtë pozitë që nga themelimi i agjencisë më 1909.
Zonja Metreweli aktualisht është drejtoreshë për teknologji dhe inovacion në MI6, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Si oficere inteligjence e karrierës, 47-vjeçarja del nga hija në dritë si punonjësja e vetme e agjencisë MI6 emri i të cilës bëhet publik. Ajo tha: “Jam krenare dhe e nderuar që më kërkohet ta udhëheq Shërbimin tim.”
Kryeministri Starmer tha se “emërimi histori” vjen në një kohë “kur puna e shërbimeve tona të inteligjencës nuk ka qenë kurrë më jetike”.
“Mbretëria e Bashkuar është duke u ballafaquar me kërcënime të nivelit të pashembullt – qofshin nga agresorët që i dërgojnë anijet e tyre spiune në ujërat tona, qoftë nga hakerët, me komplotet e sofistikuara kibernetike të të cilëve synohet që të pengohen shërbimet tona publike” – shtoi ai.
Starmeri e dha njoftimin për emërimin e ri në MI6 me të arritur në provincën Alberta të Kanadasë për një samit të udhëheqësve të shteteve të Grupit G7.
Metreweli do ta marrë drejtimin e MI6-ës kur agjencia ballafaqohet me sfida në rritje nga shtetet si Kina e Rusia. Përdorimi i mjeteve kibernetike, spiunimit dhe operacioneve të ndikimit nga këto vende i rrezikojnë stabilitetin global dhe interesat britanike. Përpos këtyre sfidave, agjencia mbetet në vigjilencë edhe kundër rreziqeve nga terrorizmi.
Metreweli do ta marrë detyrën e re në vjeshtë, duke e zëvendësuar Richard Moore-n, i cili ka qëndruar në këtë post pesë vjet./Nacionale