Bjellorusia thotë se ka dërguar më shumë trupa, aeroplanë e armatim në kufirin me Ukrainën
Bjellorusia tha të hënën se kishte dërguar më shumë aeroplanë, forca të mbrojtjes ajrore dhe armatim në kufirin e saj me Ukrainën, një ditë pasi presidenti Aleksander Lukashenko tha se kishte dislokuar gati një të tretën e forcave të armatosura të vendit të tij në rajon.
“Grupi është rritur në masë domethënëse dhe për momentin ata jnë në detyrë në kufijtë jugorë të vendit tonë” – tha komandanti i Forcës Ajrore dhe Mbrojtjes Ajrore të Bjellorusisë, Gjeneral Major Andrei Lukyanovich, në televizionin shtetëror, CTV, raporton agjencia “Reuters”.
Aeroplanë, forca raketore kundërajrore e trupa radio-teknike u dislokuan në kufi, tha ky oficer ushtarak, sipas një transkripti të publikuar në uebfaqen e CTV-së.
Disa ditë pas sulmit të befasishëm ukrainas në territorin rus, Lukashenkoja, aleat besnik i presidentit rus, Vladimir Putin, e akuzoi Kievin për politika agresive dhe për dërgim të më shumë se 120 mijë trupave në kufirin me Bjellorusinë.
Ukraina tha se nuk kishte parë shtim të ushtarëve bjellorusë në kufi dhe i quajti deklaratat e Lukashenkos “retorikë” që ka për qëllim që ta kënaq Putinin, i cili e shfrytëzoi territorin e Bjellorusisë si vendnisje për ta filluar pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Lukyanovich-i i tha televizionit CTV se Bjellorusia gjithashtu po priste më shumë dërgesa të aeroplanëve luftarakë nga Moska këtë vit dhe se Minsku po bënte përpjekje për t’i fuqizuar sistemet e veta kundër dronëve.
“Fakti që dronët janë murtaja e shekullit XXI është i qartë. Kjo është një dhimbje koke të cilës, mendoj unë, do t’i gjejmë mjetet për t’iu kundërvënë” – shtoi ai.