Bisedimet Ukrainë – Rusi zhvendosen në Evropë, Medinsky do ta drejtojë delegacionin rus
Bisedimet mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkura për përfundimin e luftës në Ukrainë do të zhvendosen në Gjenevë javën e ardhshme dhe ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, do ta udhëheqë delegacionin rus, citohet të ketë thënë të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Agjencitë ruse të lajmeve e cituan Peskovin të ketë thënë se bisedimet do të mbahen të martën dhe të mërkurën. Ato vijnë pas dy rundesh të negociatave në Abu-Dabi të Emirateve të Bashkuara, ku delegacioni rus u udhëhoq nga Igor Kostyukovi, shef i inteligjencës ushtarake, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një ndihmës i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi para gazetarëve se delegacioni i Ukrainës është duke u përgatitur për bisedimet e Gjenevës.
Rikthimi i Medinskyt, i cili e kishte drejtuar delegacionin rus në bisedimet e mëhershme në Turqi më 2022 dhe përsëri vitin e kaluar, mund të sinjalizojë se Rusia pret që fokusi i diskutimeve të zhvendoset përtej çështjeve të sigurisë dhe të kalojë te pika më të gjera të mosmarrëveshjeve mes dy palëve ndërluftuese.
Burimet ukrainase në të kaluarën e kanë kritikuar menaxhimin e bisedimeve nga Medinsky, duke e akuzuar atë se i ka mbajtur ligjërata të historisë delegacionet të Ukrainës në vend të angazhimit në negociata përmbajtësore.
Gati katër vjet që nga fillimi i luftës dhe pavarësisht përpjekjeve intensive nga presidenti amerikan, Donald Trump, për t’u dhënë fund luftimeve, Rusia dhe Ukraina mbeten larg mes vete me pozicione sa u përket çështjeve kyçe, përfshirë territorin dhe kontrollin mbi centralin bërthamor në Zaporizhia.