Bisedimet e tërthorta: ShBA-ja kërkon nga Irani që të mos i shesë dronë Rusisë
Shtetet e Bashkuara janë duke kërkuar nga Irani që ta ndërpresë shitjen e dronëve të armatosur në Rusi si pjesë e diskutimeve për një mirëkuptim më të gjerë të pashkruar mes Uashingtonit dhe Teheranit për uljen e tensioneve, raportoi të mërkurën gazeta “Financial Times”, duke cituar persona të informuar për këtë çështje.
ShBA-ja është duke i bërë trysni Iranit për ta ndërprerë shitjen e dronëve të armatosur në Rusi, të cilët Moska po i përdor në luftën e saj në Ukrainë, si dhe pjesë rezervë për pajisje pa pilotë, thuhet në raportim, ku citohen një zyrtar iranian dhe një person tjetër me njohur për këto diskutime, përcjell agjencia “Reuters”.
Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës së agjencisë “Reuters” për komente.
Ky lajm vjen në kohën e përpjekjeve të ShBA-së dhe Iranit për uljen e tensioneve dhe ringjalljen e bisedimeve më të gjera për programin bërthamor të Iranit. Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha të martën se do të mirëpriste çfarëdo hapi nga Irani për de-esklaimin e “rrezikut bërthamor në rritje” të tij.
Këto diskutime janë zhvilluar krahas bisedimeve për një marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve javën e kaluar, raportoi gazeta e njohur. Irani lejoi katër shtetas të ndaluar amerikanë që të vendoseshin në arrest shtëpiak nga burgu “Elvin”, ndërsa një tjetër tashmë është nën këtë masë.
Javën e kaluar, disa burime i thanë agjencisë “Reuters” se Irani mund t’i lirojë pesë shtetasit e ndaluar amerikanë si pjesë e një marrëveshjeje për zhbllokimin e gjashtë miliardë dollarëve fonde iraniane në Kore Jugore.
