Bisedime ambicioze ShBA – Arabi Saudite, përmendet çështja Izrael – Palestinë - NACIONALE

Bisedime ambicioze ShBA – Arabi Saudite, përmendet çështja Izrael – Palestinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan, ka zhvilluar bisedime me princin saudit, Mohammed bin Salman, në Jeddah, si pjesë e asaj që raportohet se synohet që të jetë arritje e rëndësishme, ambicioze dhe e gjerë diplomatike për rajonin.

Shtëpia e Bardhë tha se Sullivani dhe princi saudit diskutuan të enjten për “nismat për të avancuar një vision të përbashkët për Lindje të Mesme më paqësore, më të sigurt, më të begatë dhe më stabike, të ndërlidhur me botën”, raporton gazeta “The Guardian”.

Thomas Friedman, kolumnist i gazetës “The New York Times”, tha se duke u mbështetur në një intervistë me presidentin Joe Biden javën e kaluar, ai beson se Sullivani kishte shkuar në Jeddah për “ta eksploruar mundësinë e një lloj mirëkuptimi ShBA – Arabi Saudite – Izrael – Palestinë”.

Marrëveshja do të përbënte një ujdi të madhe që do t’i përfshinte një pakt të sigurisë ShBA – Arabi Saudite dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, përfshirë njohjen e Izraelit nga Arabia Saudite, me këmbënguljen e Uashingtonit, në këmbim të përmirësimit të gjendjes së palestinezëve në territoret e pushtuara, si ndërprerja e ndërtimit të vendbanimeve të hebrenjve dhe premtimi për të mos e aneksuar kurrë Bregun Perëndimor.

Friedmani tha se se Bideni ende nuk kishte vendosur që të ecte përpara rreth këtij plani dhe se bisedimet në Jeddah ishin hulumtuese. Sipas tij, çfarëdo marrëveshje e tillë do të ishte “e vështirë, komplekse dhe do të merrte kohë”.

Bruce Riedel, ish-analist i CIA-s për Lindje të Mesme dhe këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, tha se ideja e një marrëveshjeje të tillë shumëpalëshe është politikisht vështirë e realizueshme.

“Sauditët nuk duan që Bideni të rizgjidhet. Ata e parapëlqejnë fuqishëm kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Ai kurrë nuk i ka pyetur për çështjet e të drejtave të njeriut, e ka përkrahur 100 për qind luftën e Jemenit, nuk u ka bërë asgjë pas vrasjes së Jamal Khashoggi-t”- tha Riedeli.

“Prandaj, është një pikëpyetje e madhe për atë se pse do të bënin sauditët diçka që do t’i sillte aq shumë përfitim Joe Bidenit. Nuk e shoh këtë të realizueshme dhe do të supozoja që njerëzit e Bidenit janë mjaftueshëm të zgjuar për ta njohur këtë”- shtoi ai.

Khaled Elgindy, ekspert palestinez në Institutin e Lindjes së Mesme, tha se ekstremistët në kabinetin qeveritar izraelit të kryeministrit Benjamin Netanyahu do t’i rrëzonin propozimet për ngrirje të ndërtimit të vendbanimeve dhe transfere territoriale brenda Bregut Perëndimor në kontrollin e Autoritetit Palestinez.

Friedmani tha se në mesin e kërkesave të sauditëve do të përfshiheshin garancitë që ShBA-ja do t’i dilte në mbrojtje Arabisë Saudite në rast se ajo sulmohet dhe Uashingtoni të lejonte një program bërthamor civil të sauditëve, të vëzhguar nga ShBA-ja, si dhe Arabia Saudite të mund të blinte një sistem të avancuar amerikan të mbrojtjes ajrore, “Thaad”.

Lajme të ngjashme