Bilanci pozitiv tregtar i Kinës arrin për herë të parë në 1 trilion dollarë - NACIONALE

Bilanci pozitiv tregtar i Kinës arrin për herë të parë në 1 trilion dollarë

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Bilanci pozitiv tregtar i Kinës ka arritur për herë të parë në shifrën prej 1 trilion dollarësh, pasi prodhuesit që po mundohen t’i shmangin taksat e presidentit amerikan, Donald Trump, dërguan më shumë mallra në tregje të tjera në nëntor. Rritje shënuan eksportet në Evropë, Australi dhe Azi Juglindore.

Eksportet kineze në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, ranë për gati një të tretën në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Uljet e taksave për të cilat u arrit pajtim me armëpushimin tregtar ShBA – Kinë nuk ndihmuan në shtimin e dërgesave në ShBA muajin e kaluar, por rritja e përgjithshme e eksporteve e mori veten prapëseprapë”- tha Zichun Huang, ekonomiste për Kinën në kompaninë “Capital Economics”. “Ne presim që eksportet e Kinës të mbeten të qëndrueshme dhe vendi do të vazhdojë që të fitojë hise në tregun global vitin e ardhshëm” – shtoi ajo.

Eksportet e Kinës në përgjithësi shënuan rritje për 5,9 për qind në nëntor në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të doganave, ndryshe nga tkurrja prej 1,1 për qind e regjistruar në nëntor, si dhe duke tejkaluar një parashikim për rritje prej 3,8 për qind në një sondazh të agjencisë “Reuters”.

Importet, ndërkohë, shënuan rritje për 1,9 për qind në krahasim me ngritjen prej 1,0 për qind në tetor. Ekonomistët kishin pritur rritje prej 3,0 për qind.

Bilanci pozitiv tregtar i Kinës ishte 111,68 miliardë dollarë në nëntor, niveli më i lartë nga qershori dhe për 90,07 miliardë dollarë më i lartë se muajin paraprak. Parashikimi ishte që bilanci pozitiv të ishte 100,2 miliardë dollarë në muajin e parafundit të vitit.

Bilanci pozitiv tregtar për 11 muajt e këtij viti arriti në 1 trilion për herë të parë.

Kina i ka shtuar përpjekjet për ta diversifikuar tregun e eksporteve që nga fitorja e Trumpit në zgjedhjet e vitit të kaluar në ShBA, duke ndjekur lidhje më të ngushta tregtare me Azinë Juglindore dhe Bashkimin Evropian.

Eksportet kineze në Shtetet e Bashkuara ranë për 29 për qind në nëntor në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa ato drejt Bashkimit Evropian shënuan rritje për 14,8 për qind. Eksportet kineze në Australi u rritën për 35,8 për qind, ndërsa në Azinë Juglindore për 8,2 për qind.

Lajme të ngjashme